Shkalla e obezitetit tek të rriturit amerikanë ka nisur të bjerë për herë të parë pas më shumë se një dekade, dhe kjo duket se lidhet me përdorimin në rritje të ilaçeve semaglutide, (të cilat përdoren për trajtimin e sëmundjes së diabetit) për humbje peshe, si Ozempic dhe Wegovy.
Sipas të dhënave të reja nga sondazhi i Gallupit, përqindja e të rriturve obezë në SHBA ka rënë në 37 për qind në vitin 2025, pas rekordit historik prej 39.9 për qind në vitin 2022. Sondazhi përfshiu 16,946 të rritur amerikanë, të intervistuar online gjatë tre tremujorëve të parë të vitit.
“Sipas përllogaritjeve, kjo është një ulje statistikisht domethënëse që përfaqëson rreth 7.6 milionë të rritur më pak me obezitet krahasuar me tre vjet më parë”, thuhet në raport, ka raportuar CBS News.
Në raport, obeziteti përcaktohet sipas standardit federal si indeks i masës trupore (BMI) prej 30 ose më shumë.
Gallup e lidh këtë rënie me përdorimin në rritje të barnave GLP-1 për humbje peshe, përfshirë semaglutidet si Ozempic dhe Wegovy, që fillimisht janë zhvilluar për trajtimin e diabetit të tipit 2. Pavarësisht kësaj, përqindja e të rriturve që kanë diabet mbetet në nivel rekord, me 13.8 për qind të pjesëmarrësve që kanë deklaruar se janë diagnostikuar me këtë sëmundje kronike.
Kur Gallup e mati për herë të parë përdorimin e këtyre barnave në muajin shkurt 2024, vetëm 5.8 për qind e të rriturve raportuan se i përdornin për humbje peshe. Tani, kjo shifër është rritur në 12.4 për qind.
“Në mesin e përdorimit në rritje të injeksioneve GLP-1 për humbje peshe, normat e obezitetit kanë filluar të bien për shumicën e grupmoshave që nga viti 2022”, thuhet në raport.
Rënia më e madhe është vërejtur te personat e moshës 40–49 vjeç dhe 50-64 vjeç, që janë edhe grupet që përdorin më shpesh këto barna.
Megjithatë, raporti thekson edhe kufizime të mundshme, përfshirë faktin që pjesëmarrësit i raportojnë vetë peshën dhe gjatësinë e tyre, gjë që mund të ndikojë në saktësinë e rezultateve.
“Por, përderisa metoda e mbledhjes së të dhënave nga Gallup ka qenë e qëndrueshme, trendi mbetet tregues i vlefshëm i ndryshimeve me kalimin e kohës”, thuhet tutje në raport.
Ani pse Gallup nuk ka të dhëna për përdorimin e këtyre ilaçeve në vitet 2022 dhe 2023, ekipi ka deklaruar se rezultatet e Well-Being Index janë “në përputhje me raportet për përdorim në rritje që nga miratimi fillestar nga FDA në vitin 2021”.
Pavarësisht rënies së raportuar, Shtetet e Bashkuara ende mbeten ndër vendet me shkallën më të lartë të obezitetit në botën perëndimore. Megjithatë, studiuesit theksojnë se rritja e qasjes në trajtime moderne për humbje peshe mund ta shndërrojë këtë rënie në trend të qëndrueshëm.
Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), rreth 40 për qind e të rriturve amerikanë janë obezë, dhe kjo është hera e parë në më shumë se dhjetë vjet që shkalla e obezitetit në SHBA nuk është rritur.