Fëmijët nën 10 vjeç nuk duhet të trajtohen me barna për obezitetin apo injeksione për humbje peshe të llojit GLP-1, si Mounjaro dhe Wegovy, sipas udhëzimeve të reja globale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ka shkruar BBC.
Shumica e këtyre barnave janë të miratuara vetëm për fëmijë më të rritur ose adoleshentë. Megjithatë, disa mjekë i përdorin në raste të caktuara jashtë indikacioneve të miratuara, ndërsa kompanitë farmaceutike po studiojnë përdorimin e tyre edhe te fëmijët më të vegjël.
Sipas OBSH-së, për fëmijët nën 10 vjeç trajtimi i obezitetit duhet të fokusohet kryesisht te ushqyerja e shëndetshme dhe aktiviteti fizik, dhe jo te barnat apo ndërhyrjet kirurgjikale.
Obeziteti te fëmijët po rritet
Sipas vlerësimeve, rreth 170 milionë fëmijë dhe adoleshentë në botë janë obezë. Prej tyre, rreth 70 milionë janë fëmijë të moshës 5 deri në 9 vjeç.
Shkalla e obezitetit në këtë grupmoshë është katërfishuar që nga viti 1990, duke u rritur nga 2 për qind në 8 për qind.
Në vitin 2024, rreth 35 milionë fëmijë nën 5 vjeç ishin mbipeshë.
Obeziteti në fëmijëri rrit rrezikun për probleme të ndryshme shëndetësore, përfshirë diabetin e tipit 2.
“Për fëmijët nën 10 vjeç, OBSH nuk rekomandon barnat kundër obezitetit, kirurgjinë bariatrike apo pajisjet për menaxhimin e peshës. Ky është një rekomandim i fortë”, ka thënë doktoresha Luz De-Regil, drejtoreshë e Departamentit të Ushqyerjes dhe Sigurisë Ushqimore në OBSH.
Sipas saj, këto trajtime mund të merren në konsideratë te fëmijët më të rritur dhe adoleshentët, kur ndryshimet në stilin e jetesës nuk kanë dhënë rezultat dhe kur fëmija është “i përgatitur fizikisht dhe psikologjikisht” për trajtimin.
Ekspertët kërkojnë më shumë prova
OBSH pranon se përdorimi i barnave GLP-1 për trajtimin e obezitetit te fëmijët është një fushë që po zhvillohet dhe se provat shkencore do të vazhdojnë të vlerësohen.
Laurence Grummer-Strawn, përgjegjës për veprimet në fushën e ushqyerjes dhe sigurisë ushqimore në OBSH, tha se ekspertët janë veçanërisht të shqetësuar për përdorimin e hershëm të këtyre barnave.
“Nëse filloni t’u jepni fëmijëve GLP-1 ose barna të ngjashme në një moshë shumë të hershme, kur përfundon ky trajtim?”, ka thënë ai.
Ai shtoi se ende nuk ka prova të mjaftueshme që tregojnë se barnat mund të përdoren vetëm për një periudhë të shkurtër dhe më pas të zëvendësohen me ndryshime në ushqyerje dhe stilin e jetesës.
“Ne jemi shumë të kujdesshëm për të ndërmarrë një hap të tillë pa pasur prova të qarta”, ka thënë Grummer-Strawan.
Sipas OBSH-së, disa mjete teknologjike, si pajisjet që matin aktivitetin fizik apo lojërat online që i nxisin fëmijët të lëvizin më shumë, mund të jenë të dobishme, megjithëse provat për efektivitetin e tyre janë ende të kufizuara.