Mënyra se si dikush shtrihet për të fjetur mund të shkaktojë probleme shëndetësore shumë më serioze sesa vetëm dhimbje shpine, paralajmërojnë ekspertët. Pozicioni i gjumit mund të shkaktojë dhimbje, refluks të acidit, gërhitje dhe madje simptoma nervore që ndihen sapo të zgjohet, ka shkruar The New York Post.
“Ajo që na intereson është nëse dikush ndihet rehat në pozicionin në të cilin fle. Shumë shpesh, ne flemë në një mënyrë të caktuar sepse na duket e rehatshme”, ka thënë për Fox News Digital, Shelby Harris, psikologe klinike.
Megjithatë, ajo ka theksusr se pikërisht këto pozicione “rehatuese” mund të shkaktojnë probleme. Kur trupi qëndron i palëvizshëm për orë të tëra në një pozicion jo të përshtatshëm, kjo ushtron presion mbi nervat, muskujt dhe ligamentet.
Sipas ekspertëve, ndryshe nga sa besohet, shpesh pozicioni i gjumit nuk lidhet me gjendjen mendore apo nivelin e stresit.
“Pozicioni i gjumit nuk tregon asgjë për gjendjen psikologjike, tensionin, stresin apo traumat e dikujt”, ka theksuar Harris.
Një nga shqetësimet kryesore është dëmtimi i nervave, sidomos kur dikush fle me krahët të përkulur ose të futur përfundi trupit. Në rrjetet sociale ky pozicion quhet “pozicioni T. rex”, ndërsa ekspertët shpjegojnë se mpirja e krahëve gjatë natës shpesh lidhet me shtypjen e nervave.
Një rishikim i vitit 2023 për sindromën e "tunelit kubital" paralajmëron se fjetja me bërrylin shumë të përkulur ose të futur nën jastëk rrit presionin mbi nervin dhe përkeqëson dhimbjen dhe mpirjen në parakrah.
Fjetja në shpinë, ndonëse duket pozicion i mirë për shmangien e mpirjes së krahëve, mund të nxisë gërhitjen dhe refluksin e acidit, sipas Sleep Foundation. Prandaj, ekspertët këshillojnë që të njihen si përfitimet ashtu edhe rreziqet e çdo pozicioni.
Sa i përket fjetjes në bark, Sleep Foundation ka theksuar se ky pozicion mund ta disbalancojë shtyllën kurrizore dhe lidhet me dhimbje në shpinë, qafë dhe supe. Kjo ndodh sepse koka duhet të kthehet anash për të marrë frymë. Ani pse është pozicioni më pak i përhapur, ai lidhet me zvogëlimin e gërhitjes.
Harvard Health, duke iu referuar të dhënave të Sleep Foundation, tregon se fjetja anash është pozicioni më i zakonshëm dhe më i dobishëm për shumë njerëz.
Edhe Mayo Clinic rekomandon fjetjen anash për personat me dhimbje shpine, me gjunjët pak të përkulur dhe një jastëk mes këmbëve, për të mbajtur shtyllën kurrizore, legenin dhe ijet në një vijë të drejtë dhe për të ulur presionin në shpinë.
Sipas Johns Hopkins Medicine, pozicioni i gjumit bëhet edhe më i rëndësishëm me kalimin e moshës ose kur shfaqen probleme shëndetësore, duke i konsideruar fjetjen anash ose në shpinë si opsione më mbështetëse për trupin.
Ekspertët rekomandojnë kalimin gradual drejt fjetjes anash ose në shpinë dhe përdorimin e jastëkëve më të hollë, ose edhe pa jastëk, për ata që nuk mund të heqin dorë menjëherë nga fjetja në bark, për të zvogëluar shtrembërimin e qafës dhe harkun e shpinës.
Nëse keni vështirësi për të fjetur pavarësisht pozicionit ose zgjoheni pa u ndier të pushuar, Shelby Harris këshillon të konsultoheni me një specialist të gjumit.