Ekspertët thonë se thjesht ndryshimi i pozitës së gjumit mund të rezultojë po aq efikas sa trajtimet tradicionale për shumë persona që vuajnë nga apnea obstruktive e gjumit, një gjendje e lidhur me sëmundjet e zemrës dhe goditjen në tru, raporton “Female First”.
Ky çrregullim ndodh kur muskujt në fyt relaksohen tepër gjatë gjumit, duke bllokuar përkohësisht rrugët e frymëmarrjes dhe duke shkaktuar gërhitje të fortë dhe ndërprerje të përsëritura të frymëmarrjes.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoStudiuesit zbuluan se rreth 75 për qind e pacientëve vuajnë nga e ashtuquajtura apnea pozicionale e gjumit, ku simptomat shkaktohen nga fjetja shtrirë në shpinë.
Tani shkencëtarët besojnë se terapia e gjumit në krah mund të ofrojë një zgjidhje të thjeshtë dhe afatgjatë.
Gjetjet, të paraqitura javën e kaluar në Konferencën Ndërkombëtare të Shoqatës Amerikane Torakale 2026, treguan se pacientët që përdornin pajisje për terapi pozicionale përjetuan përmirësime të mëdha, me përfitime që vazhduan edhe shumë kohë pasi trajtimi kishte përfunduar.
Këto pajisje janë të dizajnuara për t’i ndaluar personat që flenë të rrotullohen në shpinë dhe përfshijnë rripa vibrues që i nxisin përdoruesit të ndryshojnë pozicion. Po ashtu ka edhe jelekë të dizajnuar posaçërisht me një top të qepur në pjesën e pasme, që ndihmon në këtë.
Pas gjashtë muajsh trajtim, më shumë se dy të tretat e pacientëve vazhduan të flinin në krah dhe arritën ta kontrollonin apnean e gjumit pa u mbështetur në pajisje. Studiuesit zbuluan se përmirësimet ishin ende të pranishme edhe një vit më vonë.
Trajtimi aktual për apnean obstruktive të gjumit zakonisht përfshin një aparat CPAP, i cili pompon ajër përmes një maske në fytyrë gjatë natës për t’i mbajtur të hapura rrugët e frymëmarrjes.
Por shumë pacientë kanë vështirësi me pajisjen.
Studimet sugjerojnë se rreth gjysma e pacientëve ndalojnë përdorimin e CPAP për shkak të parehatisë, duke i shtyrë ekspertët të kërkojnë alternativa.
Doktoresha Irene Cano-Pumarega, drejtuese e njësisë së gjumit në Spitalin “Ramon y Cajal” në Madrid dhe një nga drejtuesit e studimit, tha: “Ne vumë re se terapia pozicionale jo vetëm që ishte efektive – e krahasueshme me CPAP – por edhe tolerohej më mirë”.
Aktualisht nuk ka asnjë ilaç të licencuar për apnean e gjumit.
Mjekët paralajmërojnë se apnea e patrajtuar e gjumit mund të bëjë më shumë sesa të shqetësojë gjumin e partnerit, duke rritur rrezikun e komplikimeve serioze, përfshirë sëmundjet e zemrës, goditjen në tru dhe lodhjen ekstreme gjatë ditës.
Gjetjet më të fundit sugjerojnë se për shumë pacientë, përgjigjja mund të jetë po aq e thjeshtë sa të kthehen në krah.