Lifestyle

Fryrja në guaskën e detit mund të ndihmojë kundër apnesë së gjumit, thuhet në një studim

Shankh blowing

Shankh blowing

Foto: Associated Press

Fryrja në guaskën e detit, një praktikë e vjetër e njohur si “shankh blowing”, mund të ndihmojë në lehtësimin e simptomave të apnesë obstruktive të gjumit (OSA), sipas një studimi të ri, ka raportuar The Guardian.

“Shankh blowing” është një ritual i lashtë ku thithet thellë ajri dhe më pas fryhet me forcë brenda një guaske spirale. Sipas studiuesve, kjo teknikë mund ta përmirësojë gjumin e pacientëve që vuajnë nga OSA, një çrregullim ku frymëmarrja ndalet dhe rifillon disa herë gjatë natës, shpesh duke shkaktuar gërhitje të forta dhe ndjenja mbytjeje.

Studimi, i udhëhequr nga Eternal Heart Care Centre and Research Institute në Jaipur, Indi, përfshiu 30 persona të moshës 19 - 65 vjeç. Gjysma e tyre u mësuan si të përdorin guaskën, ndërsa gjysma tjetër bën ushtrime të thella frymëmarrjeje. Të dy grupet praktikonin të paktën 15 minuta, pesë ditë në javë.
Pas gjashtë muajsh, u zbulua se ata që frynin guaskën kishin 34% më pak përgjumje gjatë ditës, nivele më të larta të oksigjenit në gjak gjatë natës dhe 4 - 5 episode më pak të apnesë së gjumit në orë.

“Shankh blowing” është një teknikë e thjeshtë dhe me kosto të ulët që mund të ndihmojë në përmirësimin e gjumit dhe reduktimin e simptomave pa pasur nevojë për makina apo ilaçe”, ka thënë doktori Krishna K Sharma, udhëheqësi i studimit.

Sipas tij, mënyra e veçantë e fryrjes së guaskë krijon dridhje të forta dhe rezistencë të rrjedhës së ajrit, gjë që forcon muskujt e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, duke përfshirë fytin dhe qiellzën e butë, zonat që shpesh shemben gjatë gjumit te personat me OSA.

Trajtimi më i zakonshëm për apnenë e gjumit është makina Cpap, e cila fryn ajër me presion, në hundë e fyt të pacientit, përmes një maske që vendoset gjatë natës. Edhe pse efektive, shumë pacientë e shohin si të parehatshme. Studime të mëparshme kanë treguar gjithashtu se edhe luajtja e instrumenteve frymore prej druri mund të ndihmojë.

Një studim më i madh, që do të përfshijë disa spitale, është planifikuar.

“Rezultatet e këtij studimi janë inkurajuese, por shkalla e vogël e tij do të thotë se është ende herët për të thënë me siguri se fryrja e guaskës ndihmon në menaxhimin e OSA-së”, tha doktoresha Erika Kennington nga Asthma + Lung UK.

Ajo ka shtuar se ende nuk është e qartë pse fryrja e guaskës mund t’i përmirësojë simptomat.

Sipas doktoreshës, do të ishte mirë që kjo qasje të testohej në shkallë më të madhe dhe të krahasohej me strategji të tjera të provuara, si kufizimi i alkoolit, aktiviteti fizik dhe ruajtja e zakoneve të mira të gjumit.

“OSA është një gjendje afatgjatë, por me trajtimet dhe ndryshimet e duhura të stilit të jetesës, njerëzit mund të bëjnë një ndryshim real në simptomat e tyre”, ka thënë ajo.