Lifestyle

Personat që rrinë zgjuar deri vonë mund të kenë shëndet më të dobët të zemrës

Gjumi jo i rregullt

Gjumi jo i rregullt

Personat që qëndrojnë zgjuar deri vonë natën, të njohur si “night owls”, mund të kenë shëndet më të dobët të zemrës krahasuar me ata që zgjohen herët, sugjeron një studim i ri, ka raportuar NBC News.

Rreziku ishte më i theksuar te gratë por, ekspertët theksojnë se zakonet e shëndetshme të jetesës mund ta ulin ndjeshëm këtë rrezik.

Studimi, i publikuar në Journal of the American Heart Association, ka analizuar të dhënat e rreth 323 mijë të rriturve marrë nga UK Biobank, me moshë mesatare 57 vjeç.

Pjesëmarrësit u ndanë sipas kronotipit: 24 për qind ishin “persona të mëngjesit”, 8 për qind “persona të natës”, ndërsa shumica ranë në një grup të ndërmjetëm.

“Hulumtimet po tregojnë gjithnjë e më shumë se kur ora jonë e brendshme biologjike nuk përputhet me oraret e përditshme, kjo mund të ndikojë në shëndetin kardiometabolik”, ka thënë autorja kryesore e studimit, Sina Kianersi nga Brigham and Women’s Hospital dhe Harvard Medical School.

Shëndeti i zemrës u vlerësua përmes sistemit “Life’s Essential 8” të Shoqatës Amerikane të Zemrës, që përfshin gjumin, peshën trupore, ushqimin, sheqerin në gjak, tensionin, yndyrat në gjak, duhanin dhe aktivitetin fizik.

Mesatarja e pikëve ishte 67.4, ndërsa gratë kishin rezultate më të mira se burrat.

Krahasuar me grupin e ndërmjetëm, “night owls” kishin 79 për qind më shumë gjasa të kishin shëndet të dobët të zemrës dhe 16 për qind më shumë rrezik për infarkt ose sulm në tru.

Te “early birds” nuk u vërejt rritje e rrezikut.

“Nuk është vetëm kronotipi që rrit rrezikun, por profili i përgjithshëm i shëndetit kardiovaskular, i cili te personat e natës shpesh është më i dobët”, ka shpjeguar Kianersi.

Ekspertët theksojnë se gjumi cilësor është thelbësor për shëndetin e zemrës.

“Kur flemë, trupi hyn në procese fiziologjike që ndihmojnë në rigjenerimin e indeve dhe ‘rivendosjen’ e trurit”, ka thënë doktoresha Maha Alattar.

Sipas doktorit Shady Abohashem nga Massachusetts General Hospital, lidhja mes kronotipit të natës dhe shëndetit të dobët të zemrës është “modeste, jo dramatike”.

“Të qenit ‘night owl’ nuk do të thotë se zemra juaj është e dënuar”, ka shtuar ai.

Ekspertët këshillojnë gjumë 7-8 orë, ndalim të duhanit, aktivitet fizik gjatë ditës, shmangie të ushqimit para gjumit dhe ekspozim ndaj dritës natyrale në mëngjes.

Ata theksojnë se të qenit më energjik natën nuk është sëmundje.

“Ata nuk janë dembelë. Thjesht ritmi i tyre biologjik është ndryshe”, ka përfunduar Alattar.