Lifestyle

Patatet e skuqura rrisin rrezikun për diabet të tipit 2

Patatet e skuqura

Patatet e skuqura

Foto: Associated Press

Nëse i doni patatet, ka lajme të mira dhe të këqija: patatet vetë nuk janë të rrezikshme, por mënyra se si  përgatiten ato mund të ketë ndikim serioz në shëndet, ka shkruar The Guardian.

Sipas një studimi të publikuar në British Medical Journal, ngrënia e patateve të skuqura (chips apo French fries) tri herë në javë rrit për 20 për qind rrezikun për të zhvilluar diabet të tipit 2, ndërsa pesë herë në javë e çon rrezikun në 27 për qind.

Ndërkohë, patatet e ziera, të pjekura apo të bëra pure rrisin rrezikun vetëm me 5%, që është dukshëm më pak.

“Patatet mund të jenë pjesë e një diete të shëndetshme, por mënyra si i përgatisim bën ndryshimin”, ka thënë, doktoresha Kawther Hashem nga Queen Mary University of London.
Ajo ka shtuar se patatet e  ziera, të pjekura ose të bëra pure nuk përmbajnë shumë yndyrë ndërkohë që përmbajnë fibra, vitaminë C dhe kalium.

“Por kur i skuqim në vaj dhe i shoqërojmë me shumë kripë e porcione të mëdha, ato bëhen të pashëndetshme dhe kontribuojnë në shtim peshe e rrezik më të madh për diabet”, ka thënë doktoresha.

Studimi u krye nga një ekip ndërkombëtar ekspertësh të udhëhequr nga doktori Seyed Mohammad Mousavi i Universitetit Harvard, mbi 205,000 profesionistë shëndetësorë në SHBA, nga viti 1984 deri në 2021. Ata plotësuan pyetësorë për mënyrën e ushqyerjes çdo katër vjet.

Sipas studimit, patatet e skuqura janë të pasura me niseshte dhe kanë indeks të lartë glikemik, gjë që ndikon në nivelin e sheqerit në gjak.

Procesi i skuqjes gjithashtu ul përmbajtjen e lëndëve ushqyese të patateve dhe rrit kaloritë, yndyrën dhe kripën.

Studimi ka treguar se zëvendësimi i patateve me drithëra të plota, si orizi ngjyrë kafe, bullguri apo makarona integrale, ulin rrezikun për diabet me 8 për qind.

Nëse zëvendësohen patatet e skuqura me drithëra, rreziku ulet me 19 për qind.

“Ky hulumtim përforcon mesazhin e thjeshtë: shijoni patatet, por mos e ktheni pataten e skuqur në zgjedhjen tuaj të përditshme. Kur është e mundur, zëvendësojini me drithëra të plota apo me patate të ëmbël me lëkurë”, ka thënë Hashem.

Studiuesit kanë deklaruar se studimi është vëzhgues dhe nuk provon shkak-pasojë, por tregon qartë një lidhje mes mënyrës së gatimit të patateve dhe rrezikut për sëmundje.