Lifestyle

Fruta me shumë sheqer që mund të ulë rrezikun e diabetit

Mango

Mangoja, shpesh e konsideruar si frutë shumë e ëmbël, mund të ofrojë përfitime të fshehura për ata që rrezikojnë të zhvillojnë diabet.

Studimi nga Universitetit George Mason, ka zbuluar se personat me para-diabet që konsumuan çdo ditë mango kishin kontroll më të mirë të sheqerit në gjak dhe më pak yndyrë trupore sesa ata që hanin ushqim me më pak sheqer, ka shkruar ScienceDaily.

“Nuk ka rëndësi vetëm sheqeri, por e gjithë përmbajtja e frutës”, ka thënë autorja kryesore e studimit, Raedeh Basiri, profesoreshë asistente në Departamentin e Studimeve të Ushqimit të këtij universiteti.

Studimi, i pari i këtij lloji në periudhë të gjatë, ka treguar se mangot, pavarësisht se përmbajnë më shumë se 30 gramë sheqer, ofrojnë fibra, vitamina dhe lëndë ushqyese që ndihmojnë trupin të përpunojë sheqerin ndryshe nga ushqimet me sheqer të shtuar.

Qëllimi është që t'i inkurajojmë njerëzit që të inkuadrojnë në menynë e tyre fruta të plota, si mangoja, si pjesë e planit ushqimor për parandalimin e diabetit. Individët që janë më të rrezikuar nga diabeti nuk duhet të fokusohen në sasinë e sheqerit që përmbajnë ushqimet, por mënyrën se si dërgohen nëpër organizëm këto ushqime”, ka shtuar Basiri.

Në studim, pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe: njëri konsumoi çdo ditë një mango të freskët (32 g sheqer), ndërsa tjetri një ëmbëlsirë me drithëra me pak sheqer (11 g).

Pas gjashtë muajsh, grupi që hante mango tregoi përmirësim në kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak, apo glukozës, ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe ulje të yndyrës trupore.

Rezultatet tregojnë se, ndonëse mangot kanë më shumë sheqer sesa disa ushqime të gatshme, përbërja e tyre e plotë ushqyese i bën më të dobishme për shëndetin.

Ky hulumtim u publikua në revistën shkencore Foods dhe u financua nga National Mango Board, por autorët theksuan se financuesit nuk patën rol në analizimin e studimit.