Një pastë dhëmbësh e bërë nga flokët tuaj mund të ndihmojë në riparimin dhe mbrojtjen e dhëmbëve të dëmtuar, sipas studiuesve të King’s College London, ka raportuar BBC.

Shkencëtarët kanë zbuluar se keratina, një proteinë që gjendet tek flokët, lëkura dhe leshi, mund të riparojë smaltin e dhëmbëve dhe të ndalojë fazat e hershme të prishjes. Kur bie në kontakt me mineralet e pështymës, keratina krijon një shtresë mbrojtëse që imiton strukturën dhe funksionin e smaltit natyral.
“Keratina ofron një alternativë transformuese ndaj trajtimeve aktuale dentare. Kjo teknologji bashkon biologjinë me stomatologjinë, duke krijuar një biomaterial miqësor me mjedisin që pasqyron proceset natyrore. Jo vetëm që merret në mënyrë të qëndrueshme nga mbetjet biologjike si flokët dhe lëkura, por eliminon edhe nevojën për materiale plastike tradicionale, të cilat janë toksike dhe më pak të qëndrueshme”, ka thënë Sara Gamea, studente e doktoraturës dhe autorja kryesore e studimit.

Në studimin e botuar në Advanced Healthcare Materials, keratina u nxor nga leshi. Kur vendoset mbi sipërfaqen e dhëmbit dhe bie në kontakt me mineralet e pështymës, ajo formon një strukturë kristalore të organizuar që ngjan me smaltin natyral. Me kalimin e kohës, kjo strukturë tërheq kalcium dhe fosfat, duke krijuar një shtresë mbrojtëse rreth dhëmbit.

Prishja e smaltit shkaktohet nga ushqimet dhe pijet acidike, higjiena e dobët orale dhe plakja, gjë që mund të çojë në ndjeshmëri, dhimbje dhe humbje të dhëmbëve.
“Ndryshe nga eshtrat dhe flokët, smalti nuk rigjenerohet, nëse humbet njëherë, është përgjithmonë. Ne po hyjmë në një epokë emocionuese ku bioteknologjia na lejon jo vetëm të trajtojmë simptomat, por të rikthejmë funksionin biologjik duke përdorur materialet e trupit tonë”, ka thënë doktori Sherif Elsharkawy, autor i studimit dhe konsulent në protetikë dentare.

Ai ka shtuar se me zhvillim të mëtejshëm dhe bashkëpunime me industrinë, mund të ketë buzëqeshje më të forta e më të shëndetshme duke filluar nga diçka aq e thjeshtë sa një qethje flokësh.