Gjithçka që na rrethon, ndikon dukshëm në disponimin tuaj ditorë.
Ekzistojnë shumë gjëra në shtëpi të cilat në mënyrë të pashmangshme e bëjnë ambientin ku jetojmë më të ngarkuar, sidomos kur i kemi me shumicë. Prandaj preferohet që t’i zgjishni me kujdes orenditë dhe zbukurimet e shtëpisë, transmeton Koha.
Pesë prej këtyre artikujve të cilët e bëjnë shtëpinë të duket e stërmbushur dhe të cilat nuk keni nevojë t’i mbani me shumicë janë:
Jastëkët: Kur e dekoroni shtëpinë tuaj, provoni ta blini vetëm nga një jastëk për person, të cilin mund ta përdorni për ta pushuar kokën në të, apo për ta mbajtur në prehër gjatë kohës sa shikoni TV. Po ashtu preferohet që jastëkët t’i vendosni në hapësira të ndryshme të dhomës, dhe gjithmonë mundohuni t’i kombinoni ata me perdet e dhomës. Vendosja e shumë jastëkëve dhe me ngjyra të ndryshme, e ngarkon dukshëm ambientin dhe ua vranë sytë gjatë kohës që ju mundoheni të pushoni.
Lulet: Në vend se ta vendosni një lule në një qosh të dhomës dhe një lule në qoshen tjetër, çka shumë shpejt bënë që sipërfaqja juaj të mbushet, mundohuni ta vendosni një lule të vetme të madhe në dhomë. Kështu hapësira duket më e relaksuar dhe e keni më lehtë ta mirëmbani atë. Një lule e vetme krijon bujë minimale estetike në dhomën tuaj të ndejës.
Pikturat: Shikoni me vëmendje të gjitha pikturat në murin tuaj dhe largoni ato që shërbejnë vetëm si pjesë dekorative. Lërini vetëm ato piktura që kanë domethënie për ju. Në momentin që i largoni veprat e tepruara të artit nga muret, shtëpia juaj do të duket më e freskët dhe e pastër.
Qilimat: Syri i njeriut porsa hyn në një dhomë shkon tek dyshemeja dhe fakti nëse keni shumë mbulesa për të. Shumë qilima në një shtëpi mund të duken si mbingarkesë vizuale. Në vend se t’i vendosni disa qilima të vegjël nëpër dhomë, preferohet ta vendosni një qilim të madh i cili qëndron lehtësisht nën orendi, dhe kështu ambienti juaj duket më i madh dhe i hapur.
Zbukurimet: Edhe një dhomë e cila e përfshinë një raft të vetëm, por të mbushur me shumë zbukurime, mund ta bëjnë pjesën e mbetur të dhomës të duket e mbingarkuar. Prandaj, më mirë është të zgjidhni ta zbukuroni ambientin me gjëra që kanë kuptim për ju, dhe ju bëjnë të ndiheni mirë dhe të lumtur.