Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

National Geographic publikon fotografinë e Llapashticës nga Shpella e Gadimes

Fotografia e Arben Llapashticës, e realizuar në Shpellën e Gadimes, ka zënë vend në artikullin e revistës prestigjioze National Geographic, kushtuar mrekullive natyrore që ka Kosova.

Në këtë fotografi të shkrepur nga fotografi i KOHËS, shihen kristalet brenda kësaj shpelle që njihet si “Shpella e Mermerit”, për të cilën në artikull thuhet se është vetëm një nga shpellat e shumta që e bëjnë Kosovën një vend për ta vizituar.

Eksplorimi që ka bërë kjo revistë nëpër vendet turistike të Kosovës, është ilustruar me një fotografi të Llapashticës.

Brenda këtij teksti, janë përdorur edhe disa fotografi të realizuara nga fotografi Bujar Gashi.

Artikulli i shkruar në formë reportazhi, ka për synim që t’i tregojë shpellat e Kosovës, që përveç asaj të Gadimes përfshin edhe atë në fshatin Radavc, në afërsi të Pejës.

Duke e quajtur “Bukuroshja e Fjetur që po zgjohet nga turizmi”, National Geographic ka shkruar se shpella në Radavc tërheq deri në 23.000 vizitorë në vit.