Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Mësimet online efikase po aq sa pushimet verore

Mësimi nga distanca gjatë valës së parë të izolimeve shkaku i pandemisë nuk ka pasur ndonjë efekt domethënës, ka treguar të premten një hulumtim i ri. Për nxënësit, mësimi online ka qenë përafërsisht e njëjta gjë sikurse pushimet verore

Kur në fillimin e pandemisë së koronavirusit, në pranverën e 2020-s shumica e shkollave u mbyllen dhe nxënësit u detyruan të qëndronin brenda shtëpive, askujt as që i ka shkuar mendja se kjo nuk do të jetë një pauzë vetëm dyjavore.

Por shumë shpejt u mësua se nxënësit nuk do të mund t’i vijojnë mësimet në shkolla për kohë më të gjatë. Kësisoj, pasoi mësimi në formën virtuale, nga distanca.

Një ekip i hulumtuesve nga Universiteti i Frankfurtit në Main ka zbuluar se fëmijët dhe të rinjtë nuk është se kanë mësuar shumëçka gjatë kësaj forme të mësimeve.

Hulumtuesit, sipas raportimit të gjermanes Deutsche Welle, kanë analizuar studimet nga pjesë të ndryshme të botës, të cilat kanë trajtuar pikërisht çështjen e zhvillimit të procesit mësimor në fazën fillestare të mësimit online në pranverën e 2020-s.

“Rezultatet janë zhgënjyese: shkalla e dijes te shumë të rinj që u detyruan të mësonin nga shtëpia ka stagnuar. Disa studime madje kanë treguar se ka edhe raste të ngecjes së theksueshme, që i bie se nxënësit kanë humbur shkallë të dijes apo aftësi. Ky është përafërsisht po ai efekt që evidentohet pas pushimeve verore”, thuhet në hulumtimin e raportuar nga DW-ja.

Edhe Puna nga shtëpia po rrit papunësinë te të rinjtë, jo inteligjenca artificiale Lifestyle Puna nga shtëpia po rrit papunësinë te të rinjtë, jo inteligjenca artificiale

Ekipi nga Frankfurti ka analizuar kësisoj rezultatet e 11 studimeve nga Gjermania, Holanda, Belgjika, Austria, Kina, Australia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Në pranverën e 2020-s të gjithë janë gjendur në një situate të re, të paparashikuar”, ka theksuar për DW-në Svenja Hamershtain, bashkëpunëtore shkencore në Institutin për Psikologji në Universitetin Goethe.

Mici nga Idoha e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund ta konfirmojë nga dora e parë rezultatin e studimit. Ajo është mësuese e arsimit të ulët dhe thotë se pas fazës së parë të mësimeve online në pranverë ka vërejtur mangësi te nxënësit e saj.

“Dhe kjo me gjithë faktin se si unë ashtu edhe kolegët e mi jemi munduar me të gjitha forcat që të sigurojmë orë cilësore mësimi”, ka theksuar ajo për Deutsche Welle. “Kemi evidentuar rënie drastike te nxënësit tanë. Kemi pasur një sërë nxënësish që në fund të vitit 2020 nuk kanë qenë në nivelin që do të duhej, si për shembull në lexim. Dhe pas nisjes së vitit të ri shkollor janë dashur që të kompensojnë shumëçka”.

Rënia në nxënien e dijes ka qenë më e dukshme mes nxënësve më të vegjël, kanë thënë hulumtuesit nga Frankfurti. Në krejt këtë mes rol kanë luajtur edhe pajisjet teknologjike.

Në gjendje më të mirë janë paraqitur fëmijët, prindërit e të cilëve kanë punuar nga shtëpia dhe kanë qenë në gjendje që t’i ndihmojnë në procesin e nxënies së dijes.

Faktin se kanë punuar dhe mësuar më pak gjatë izolimit e kanë pranuar për DW-në edhe vetë nxënësit më të rritur.

“Në fillim, mësimi nga distanca ishte efikas”, ka thënë Medi, një 18-vjeçare që jeton në Maryland të SHBA-së. Mirëpo ajo ka theksuar se shkolla e saj nuk kishte një plan mësimi të standardizuar, kësisoj jo të gjithë mësimdhënësit kanë përdorur platforma të njëjta për orët e tyre. “E disa madje as që kanë mbajtur fare mësime”, ka theksuar ajo.

Edhe Ndarja digjitale pengon nxënësit gjatë mësimit online Lifestyle Ndarja digjitale pengon nxënësit gjatë mësimit online

Tetëmbëdhjetëvjeçarja Ema në marsin e 2020-s ishte në klasën e 11-të. Është nxënëse e një shkolle ndërkombëtare private në Pragë të Republikës së Çekisë.

“Definitivisht kam mësuar më pak, e më aq sa kam mësuar jam më e pasigurt sesa në kohën kur i vijoja mësimet në shkollë”, ka thënë ajo për Deutsche Welle. “Kur në kompjuter të gjithë i kyçin mikrofonat dhe të gjithë shikojnë mësimdhënësin, mendoj se na pushtonte turpërimi për të shtruar pyetje kur nuk kuptonim ndonjë gjë. Andaj edhe ka pasur më pak avancime”.