Lifestyle

Faktori kritik që parashikon jetëgjatësinë më mirë se ushqimi apo aktiviteti fizik

Jetëgjatësia

Ajo që “fitoni” duke qëndruar zgjuar deri vonë mund t’ju kushtojë vite jetë, sipas një studimi të ri që lidh gjumin e pamjaftueshëm me jetëgjatësi më të ulët.

Ndërsa gjumi i dobët është lidhur prej kohësh me probleme shëndetësore dhe jetë më të shkurtër, hulumtimi i fundit ka zbuluar se mjaftueshmëria e gjumit lidhet më fort me jetëgjatësinë sesa dieta apo ushtrimet fizike, faktorë që zakonisht konsiderohen si kryesorë për të shtuar vite jetë, ka shkruar ScienceAlert.

Studiuesit nga Oregon Health & Science University (OHSU) kanë analizuar të dhënat e sondazheve në SHBA nga vitet 2019 deri më 2025.

Ata krahasuan jetëgjatësinë mesatare me kohën e gjumit të raportuar nga pjesëmarrësit, duke e konsideruar si “të pamjaftueshme” çdo kohë në gjumë nën shtatë orë në natë.

Edhe pasi u morën parasysh faktorë të tjerë që ndikojnë në jetëgjatësi, si mungesa e aktivitetit fizik, statusi i punësimit dhe niveli arsimor, lidhja mes mungesës së gjumit dhe jetëgjatësisë më të ulët vazhdoi të ishte e fortë. I vetmi faktor me ndikim më të madh ishte duhanpirja.

“Nuk prisja që gjumi i pamjaftueshëm të ishte kaq fort i lidhur me jetëgjatësinë. Gjithmonë e kemi ditur që gjumi është i rëndësishëm, por ky studim e thekson edhe më shumë: njerëzit duhet të përpiqen të flenë shtatë deri në nëntë orë nëse është e mundur”, ka thënë studikuesi Andrew McHill.

Si studim vëzhgues, ai nuk mund të provojë se gjumi i paktë ju heq muaj apo vite jetë, dhe nuk i zgjidh ndërveprimet komplekse mes gjumit, ushqimit dhe aktivitetit fizik. Por rezultatet sugjerojnë se sasia e gjumit çdo natë është një tregues i rëndësishëm i shëndetit afatgjatë.

Gjumë i mjaftueshëm është thelbësor për pothuajse çdo aspekt të shëndetit: edhe një natë pa gjumë ndikon në funksionimin e trurit dhe në sistemin imunitar.

Studiuesit veçojnë obezitetin dhe diabetin si dy gjendje të lidhura fort me gjumin e dobët, të cilat mund të ulin jetëgjatësinë.

“Është intuitive dhe ka kuptim, por megjithatë ishte tronditëse ta shihnim kaq qartë në të gjitha modelet. Gjumi i mirë nuk përmirëson vetëm mënyrën si ndiheni, por edhe sa gjatë jetoni”, ka shtuar McHill.

Lajmi i mirë është se rutina e gjumit mund të përmirësohet, brenda kufizimeve që kemi nga puna dhe kujdesi për familjen.

Mund të ndihmojë të shmangni “scroll-in” e pafund natën vonë, apo të shtoni pak yoga herë pas here.

American Academy of Sleep Medicine dhe Sleep Research Society rekomandojnë të paktën shtatë orë gjumë në natë, edhe pse disa prova sugjerojnë se një pjesë e orëve të humbura mund të rikuperohen gjatë fundjavës.

“Ky studim tregon se duhet ta bëjmë prioritet gjumin po aq sa ushqimin dhe ushtrimet fizike. Gjumi i mirë jo vetëm që ju bën të ndiheni më mirë, por ju ndihmon edhe të jetoni më gjatë”, ka thënë McHill.

Studimi është publikuar në Sleep Advances.