Lifestyle

Gjetja e “pikës ideale” të gjumit mund t’ju shtojë deri në katër vjet jetë

Gjumi

Gjumi

Një studim ka zbuluar se personat që nuk flenë mjaftueshëm, kanë 24 për qind më shumë gjasa të vdesin më herët.

Analiza, e realizuar nga kompania e sigurimeve shëndetësore "Vitality" dhe nga London School of Economics, vlerëson se zakonet e shëndetshme të gjumit mund ta zgjasin jetëgjatësinë deri në katër vjet, ka raportuar The Sun.

Megjithatë, studimi tregon se 90 për qind e britanikëve kanë zakone të këqija të gjumit, si mungesa e orëve të mjaftueshme të gjumit, ora e ndryshme e fjetjes çdo natë ose gjumë i dobët për shkak të stresit.

Doktoresha Katie Tryon, zëvendësdrejtoreshë ekzekutive e “Vitality”, ka thënë se për shumicën e njerëzve problemi nuk është çrregullimi, por rutina.

Sipas saj, të shkosh në shtrat vetëm 15 minuta më herët çdo natë ose të lexosh një libër në vend që të shikosh edhe një episod tjetër në televizor, mund të bëjë një ndryshim të madh me kalimin e kohës.

Vetëm 4 nga 10 persona flenë sa duhet

Raporti ka analizuar 47 milionë net gjumi nga njerëz në mbarë botën.

Ai tregon se 41 për qind e njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar flenë më pak se shtatë orë në natë.

Rreth 42 për qind kanë gjumin ideal siç rekomandohet nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar britanik, që është shtatë deri në tetë orë gjumë.

Personat që nuk flenë mjaftueshëm janë më të rrezikuar nga problemet e shëndetit mendor dhe sëmundje fizike si sëmundjet e zemrës, diabeti i tipit 2 dhe kanceri.

Sipas raportit, njerëzit me zakone ideale gjumi, si fjetja rreth shtatë orë çdo natë dhe shkuarja në shtrat në të njëjtën orë, mund të jetojnë dy deri në katër vjet më shumë sesa ata me gjumë të dobët.

Për krahasim, aktiviteti i rregullt fizik lidhet me rreth gjashtë vjet jetë më shumë, ndërsa mbajtja e peshës normale me rreth pesë vjet.

Në raport theksohet se përmirësimi i gjumit mund të sjellë jo vetëm dy deri në katër vjet jetë shtesë, por edhe cilësi më të mirë shëndeti gjatë gjithë jetës.

Sipas doktoreshës, sa më herët të krijohen këto zakone, aq më i madh është përfitimi afatgjatë.

Gjumi i dëmtuar nga ekranet

Ekspertët paralajmërojnë se gjumi ynë është “nën sulm nga bota moderne”.

Sipas tyre, drita e ekraneve e mashtron trurin duke e bërë të mendojë se është ende ditë dhe pengon prodhimin e melatoninës, hormonit që ndihmon trupin të përgatitet për gjumë.

Ata këshillojnë që për gjumë më të mirë njerëzit të flenë dhe të zgjohen në të njëjtën orë çdo ditë, të fiknin ekranet një orë para gjumit dhe të krijonin një rutinë të qetë mbrëmjeje, si leximi.

Raporti vlerëson se nëse vetëm një e katërta e të rriturve në Mbretërinë e Bashkuar do të përmirësonin zakonet e gjumit, kjo do t’i kursente sistemit shëndetësor rreth 1.35 miliardë funte në vit.

Profesori Joan Costa-i-Font nga London School of Economics ka theksuar se sjelljet e lidhura me gjumin nuk kanë të bëjnë vetëm me ndjenjën e pushimit.

Sipas tij, ndikimi i gjumit në shëndet dhe në ekonomi është shumë i madh.