Lifestyle

Dy net me “Prishtina Fashion Night 2019”

Ngjarja më e madhe e modës në vend do të vijë në transmetim për shikuesit e KTV-së dy net radhazi.

Edicioni i 15-të i “Prishtina Fashion Night” do të vijë me më shumë laramani se asnjëherë duke dëshmuar rritjen e kësaj ngjarjeje, e cila për vite me radhë mban primatin e më të rëndësishmes në fushën e modës në vend.

Në mbrëmjen e parë do të prezantohen koleksionet e disenjatorëve të rinj vendës, por do të ketë edhe një numër koleksionesh të disenjatorëve mysafirë nga rajoni. Derisa mbrëmja e dytë do të jetë e rezervuar kryesisht për shtëpitë e modës në vend.

Në mesin e koleksioneve – përveç veshjeve elegante dhe veshjeve të dizajnuara për raste të veçanta – do të vijnë edhe koleksione me veshje sportive, por edhe ato me veshjet për fëmijë. Edicioni i sivjetmë i PFN dallohet edhe për nga shumëllojshmëria e materialeve të përdorura në dizajnime dhe eleganca e fustaneve të prezantuara, por njëkohësisht edhe kontroverse.

Një prej koleksioneve më të përfolura të këtij edicioni, i cili do të vijë i plotë edhe në prezantimin televiziv të ngjarjes, qe koleksioni i disenjatores Enkelejda Shatri. Vellot e zeza qenë ato që e karakterizuan këtë koleksion.

Pjesë e modeleve në PFN është edhe “Miss Universe Kosova 2019”, Fatbardha Hoxha, e cila bëri ecjen e parë në pasarelë prejse u kurorëzua me titullin e më të bukurës së Kosovës.

PFN 2019 do të transmetohet të premten dhe të shtunën nga ora 20:00 vetëm në Kohavision.