Ngjarja më e madhe e modës në vend edhe një herë ka bërë bashkë kreacionet e veçanta të disenjatorëve kosovarë.
Mbrëmja ka nisur me sfilatën e fëmijëve, të cilët me fytyra të buzëqeshura kanë prezantuar kreacionet për moshën e tyre.
“Prishtina Fashion Night” nisi me parakalimin e modelistes dhe aktores Arbnora Ademi, që po bën karrierë në Turqi. Megjithëse me publik më të kufizuar, ngjarja që këtë vit u përmblodh me një mbrëmje arriti të ketë një organizim të suksesshëm.
Koleksioni “Pranverë -verë” u prezantua me veshje elegante dhe fustane të veçanta nusërie. Udhëheqësja e akademisë “Evolucion” tha se pandemia ka ndikuar veçmas në punën me studentë dhe kësaj here janë prezantuar me katër koleksione.
Kjo ngjarje u ka dhënë hapësirë edhe krijuesve të rinj për të prezantuar koleksionet e tyre. Pjesëmarrja për herë të parë në një eveniment të tillë i ka sfiduar dhe u ka dhënë shumë emocione disenjatorëve të rinj.
I gjithë ky organizim u përcoll edhe me këngë interpretuar nga Neki Emra. Ai ka thënë se ky eveniment po bëhet gjithnjë e më profesional duke mbledhur disenjatorë kreativë.
Organizimi i radhës i “Prishtina Fashion Night” do të mbahet në nëntor me dy mbrëmje, që pritet të jenë edhe më madhështore.