Lifestyle

Dieta ‘pro’ dhe ‘kundër’ lëkurës së yndyrshme

Jeni lodhur duke pasur një fytyrë të yndyrshme? Jo vetëm produktet që përdorni kundër lëkurës së yndyrshme ju ndihmojnë për të arritur rezultate të kënaqshme, pasi edhe ushqimet kanë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Duke konsumuar më shumë ushqime specifike e duke ndenjur larg disa të tjerave, yndyra e tepruar nuk do të jetë më problem për lëkurën tuaj.

Hani sa më shumë perime dhe fruta të pasura me fibra

Reduktimi i toksinave në trup mund t’ju ndihmojë të përmirësoni gjendjen e lëkurës, e cila është një organ i eliminimit të mbeturinave dhe mbingarkesa i shkakton një gjendje të tillë. Për t’i nxjerrë jashtë ato papastërti, përfshini më shumë fruta të freskëta dhe perime në dietën tuaj, pasi janë burime të shkëlqyera të fibrave. Gjithashtu, ju ndihmojnë dhe në pastrimin e lëkurës.

Mos hani gjëra me sheqer

Të gjithë e dimë që sheqeri i bardhë i rafinuar është shumë i dëmshëm për shëndetin. E dinit që stimulon dhe yndyrën në fytyrë? Kjo për shkak se sheqernat e rafinuara shkaktojnë inflamacion dhe mosbalancim hormonal, të dyja këto përgjegjëse për ta bërë lëkurën të duket e yndyrshme. Qëndroni larg ëmbëlsirave për të evituar puçrrat dhe shkëlqimin në fytyrë.

Hani ushqime me yndyra të shëndetshme

Për të luftuar inflamacionin i cili lidhet me prodhimin e tepërt të yndyrës, konsumoni ushqime që përmbajnë yndyra të shëndetshme, sidomos acide yndyrore omega-3 të njohura për vetitë anti-inflamatore. Disa burime të shkëlqyera acidesh yndyrore omega-3 janë salmoni, trofta, sardelet, toni.

Mos hani karbohidrate të përpunuara

Kur bëni pazar qëndroni larg produkteve që përmbajnë drithëra të rafinuara sepse mund ta bëjnë lëkurën tuaj të duket më me shkëlqim se kurrë. Githashtu këto ushqime janë përgjegjëse për mbledhjen e yndyrës rreth barkut ose belit si dhe ekspertët e lidhin konsumimin e tyre me diabetin ose sëmundjet e zemrës.

Hani drithëra të plota

Hani drithëra të plota të cilat janë të pasura në antioksidantë dhe fibra. Orizi i zi, tërshëra, quinoa dhe pastat integrale, janë aleate të mira të shëndetit dhe lëkurës suaj.

Mos hani bulmet

Sipas ekspertëve të lëkurës, qumështi dhe nënproduktet e tij janë jo fort pozitive për lëkurën, sidomos nëse e keni një lëkurë të yndyrshme dhe të predispozuar ndaj akneve. Kjo për shkak se bulmeti mund të rrisë nivelet e inflamacionit. Të shqetësuar se ku do ta merrni kalciumin? Ka shumë perime me gjethe jeshile tek të cilat gjendet me bollëk.

Preferoni si vakte të ndërmjetme farat dhe frutat e thata

Përveç peshqve që përmendëm më sipër, edhe farat e frutat e thata janë burime të mira të acideve omega 3, kështu që mund t’i përdorini në sallata ose t’i hani siç janë si vakte të ndërmjetme.

Mos hani fast-food dhe ushqime të paketuara

Janë plot yndyra dhe kjo është arsyeja pse e bëjnë lëkurën tuaj të duket gjithë shkëlqim. Përveç lëkurës, janë të dëmshme edhe për zemrën e shëndetin në përgjithësi. Bëni zgjedhje të zgjuara dietologjike për të larguar yndyrën e tepërt nga lëkura, dhe për të shpëtuar edhe nga shumë probleme të tjera shëndetësore.

Hani ushqime të pasura me vitaminë C

Të gjithë e dimë që vitamina C ndihmon për të forcuar sistemin imunitar. Gjithashtu është e dobishme për probleme të ndryshme të lëkurës, përfshirë edhe yndyrën? Ushqimet e pasura me vitaminë C ju bëjnë të dukeni më të rinj, pasi kjo vitaminë ndihmon në sintezën e kolagjenit, një proteinë që e bën lëkurën të jetë elastike dhe e butë.

Mos hani mish të kuq

Ekspertët thonë se mishi i kuq përmban hormone, kështu që konsumi i tij mund të shkaktojë disbalancim të hormoneve dhe probleme tjera duke filluar nga ato kozmetike si yndyra në lëkurë e me radhë./Neps.al