Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Cili është më i shëndetshëm kosi i trashë apo gjiza?

Kosi i trashë dhe gjiza

Kosi i trashë dhe gjiza

Kosi i trashë dhe gjiza janë bërë dy nga ushqimet më të preferuara, sidomos për njerëzit që kërkojnë ushqime të pasura me proteina dhe të shëndetshme, ka shkuar Real Simple.

Të dy produktet bëhen nga qumështi i lopës dhe njihen për përmbajtjen e lartë të proteinave. Sipas dietologëve secili ka përparësi të ndryshme ushqyese dhe zgjedhja varet nga nevojat e secilit person.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Çka është kosi i trashë?

Kosi i trashë, që njihet edhe si kosi grek, prodhohet duke mpiksur qumështin dhe më pas duke larguar një pjesë të madhe të lëngut të qumështit, proces që e bën më të trashë, më kremoz dhe më të pasur me proteina sesa kosi i zakonshëm.

“Kosi grek ka më pak laktozë dhe dukshëm më shumë proteina sesa kosi tradicional”, ka shpjeguar dietologia Jamie Baham.

Sipas të dhënave ushqyese, gjysmë filxhani kos i trashë përmban 95 kalori, 9 gramë proteina, 5 gramë karbohidrate si dhe 4.4 gramë yndyrë.

Ai përmban gjithashtu kalcium, vitaminë B12, vitaminë A, fosfor dhe probiotikë që ndihmojnë shëndetin e zorrëve.

“Kosi i trashë ofron proteina cilësore, probiotikë për shëndetin e zorrëve dhe lëndë ushqyese të rëndësishme për kockat, zemrën, sistemin imunitar dhe metabolizmin”, ka thënë dietologia Ali McGowan.

Për shkak se ka më pak laktozë, ky kos mund të jetë më i përshtatshëm edhe për njerëzit që kanë vështirësi në tretjen e produkteve të qumështit.

“Kulturat aktive në kosin grek ndihmojnë në shpërbërjen e laktozës dhe e bëjnë më të lehtë tretjen”, ka thënë Baham.

Çka është gjiza?

Gjiza është djathë i freskët dhe i butë që krijohet kur qumështi mpikset dhe ndahet nga lëngu.

Gjysmë filxhani gjizë përmban 105 kalori, 12 gramë proteina, 5 gramë karbohidrate dhe 4.2 gramë yndyrë.

Ajo është e pasur me proteinën casein, e cila tretet ngadalë dhe ndihmon në ndjesinë e ngopjes dhe rikuperimin e muskujve.

“Gjiza është një ushqim i pasur me proteina që ndihmon shëndetin e kockave dhe kontrollin e peshës”, ka thënë McGowan

Ndërsa Baham ka shtuar se është gjithashtu burim shumë i mirë i vitaminës B2, e cila ndihmon në mbrojtjen e qelizave nga dëmtimi.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë për një detaj të rëndësishëm: sasinë e lartë të natriumit.

Vetëm gjysmë filxhani gjizë përmban rreth 18 për qind të sasisë ditore të rekomanduar të natriumit, dhe konsumimi i tepërt i tij mund të lidhet me rritjen e tensionit të gjakut.

Cili është më i mirë?

Sipas ekspertëve, të dyja ushqimet janë zgjedhje shumë të mira dhe të shëndetshme, por kanë disa dallime.

Kosi i trashë ka më shumë probiotikë, më pak laktozë, më shumë kalcium e pak më pak kalori.

Ndërsa gjiza ka më shumë proteina, ndihmon më gjatë në ndjesinë e ngopjes, por ka shumë më tepër natrium.

“Nuk ka një përgjigje të vetme për atë që është më i mirë. Varet nga nevojat dhe objektivat shëndetësore të secilit person”, ka thënë Baham.

Nëse dikush kërkon më shumë proteina, gjiza fiton me rreth 3 gramë më shumë proteina për porcion.

Por nëse dikush dëshiron më shumë probiotikë, kalcium dhe tretje më të lehtë, atëherë kosi i trashë mund të jetë zgjedhja më e mirë.

Edhe shija luan rol.

“Kosi i trashë ka teksturë më të butë dhe shije më të hidhur, ndërsa gjiza ka shije më të lehtë dhe strukturë më kokrrizore”, ka thënë McGowan.

Si t’i konsumoni?

Ekspertët rekomandojnë të zgjidhen versionet natyrale, pa sheqer të shtuar.

Të dy mund të kombinohen me fruta, arra, fara, mjaltë, kanellë ose erëza të ndryshme.

Baham ka thënë se përdor kosin e trashë në lëng me fruta të përgatitur në shtëpi, si dhe salca, ndërsa gjizën në palpeta e salca madje edhe akullore shtëpie.