Lifestyle

Cigaret elektronike po shkaktojnë dëm të pakthyeshëm në shëndetin e fëmijëve

Cigaret elektronike

Cigaret elektronike

Foto: Associated Press

Kardiologë dhe studiues nga e gjithë bota kanë ngritur alarmin për nivelet e larta të përdorimit të cigareve elektronike (vape) tek fëmijët dhe adoleshentët, duke thënë se këto pajisje mund të shkaktojnë dëme të përhershme në shëndetin e tyre, ka raportuar The Guardian.

Ata theksojnë se miliona të rinj po ekspozohen ndaj toksinave dhe substancave kancerogjene, disa prej tyre ende të panjohura plotësisht.

Nikotina që përmbajnë këto pajisje është shpesh në nivele shumë të larta, duke rritur rrezikun e varësisë dhe dëmtimit të trurit që ende është në zhvillim. Fëmijët, sipas ekspertëve, rrezikojnë gjithashtu pasoja afatgjata në sistemin kardiovaskular.

Duke folur në Kongresin vjetor të Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë në Madrid, profesorja Maja-Lisa Lochen, kardiologe në Spitalin Universitar të Norvegjisë së Veriut, ka thënë se po ka frikë nga dëmi i pashlyeshëm që po shkaktojnë cigaret në fjalë.

“Kam frikë se cigaret elektronike po shkaktojnë dëm të pakthyeshëm në trurin dhe zemrat e fëmijëve. Natyrisht, duhet të presim për të dhënat afatgjata, por unë jam e shqetësuar. Cigaret elektronike rrisin presionin e gjakut, rrahjet e zemrës dhe i bëjnë arteriet më të ngurta”, ka thënë ajo.

Sipas saj, vape e stërmundon sistemin kardiovaskular të fëmijëve: zemra rrah më shpejt, enët e gjakut ngushtohen dhe kjo mund të çojë me kalimin e kohës në hipertension, aritmi, sulm në tru apo edhe infarkt.

Lochen ka përmendur edhe një studim të botuar vitin e kaluar në “New England Journal of Medicine”, i cili ka treguar se vape rrit rrezikun për sulm në tru me rreth 32 për qind.

Kur nxehen në temperatura të larta, lëngjet e cigareve elektronike çlirojnë substanca të dëmshme si formaldehidi dhe acetaldehidi, të cilat njihen si kancerogjene. Këto mund të hyjnë në gjak dhe të dëmtojnë enët e gjakut, duke nxitur inflamacion dhe duke rritur rrezikun për sëmundje të zemrës.

“Ekziston rrezik më i madh për fëmijët në krahasim me të rriturit. Nikotina dhe substanca të tjera në cigaret elektronike dihet se kanë efekt shumë të dëmshëm mbi trurin në zhvillim, jo vetëm gjatë shtatzënisë, por edhe në fëmijëri dhe deri në moshën 20-vjeçare. Ky është shqetësim shumë i madh për ne”, ka thënë Lochen.

Sipas saj, edhe kur fëmijët heqin dorë nga avullimi, simptomat e tërheqjes nga nikotina mund të rrisin tensionin dhe rrahjet e zemrës.

“Jam e bindur se adoleshentët që nisin të pinë cigare elektronike sot, janë në rrezik serioz për dëme të pakthyeshme në shëndetin e tyre”, ka shtuar ajo.

Në Madrid ka folur edhe profesoresha Susanna Price, kardiologe në spitalin Royal Brompton të Londrës, duke thënë se ende nuk dihet rreziku afatgjatë që mund të shkaktojë cigarja elektronike.

“Po shohim rritje të numrit të fëmijëve që pinë vape, por ende nuk e dimë se çfarë do të thotë kjo në rrezikun afatgjatë për zemrën, sepse këto pajisje nuk kanë qenë aq gjatë në përdorim. Më shqetëson ideja që mund të zëvendësojmë një substancë shumë të dëmshme me një tjetër, që mund të ketë profil të dëmshëm për zemrën”, ka thënë Price.

Edhe doktoresha Charmaine Griffiths, drejtuese e Fondacionit Britanik për Zemrën, ka theksuar se cigaret elektronike nuk janë të padëmshme dhe asnjë fëmijë apo adoleshent nuk duhet t’i përdorë.

Ajo ka kërkuar veprime urgjente nga qeveritë për të ndaluar përhapjen e kësaj praktike.

“Duhet bërë që vape të mos jetë aspak tërheqëse për të rinjtë dhe duhet krijuar një brez pa duhan dhe nuk mund të pritet më gjatë”, ka thënë ajo.

Edhe pse të dhënat për efektet afatgjata janë ende të kufizuara, Lochen ka thënë se është pro një ndalese globale të shitjes së cigareve elektronike.

“Mendoj se bazuar në atë që dimë sot për efektet e dëmshme të cigares elektronike, duhet të ketë ndalim të shitjes së tyre në mbarë botën. Ato janë në treg prej 15-20 vjetësh, kemi të dhëna të mjaftueshme dhe e dimë se nuk janë të padëmshme”, ka thënë Lochen.