Të mërkurën do të shihet superhëna më e afërt e vitit. Hëna do të duket pak më e madhe dhe më e ndritshme se zakonisht, sipas agjencisë hapësinore NASA.
Orbita e Hënës rreth Tokës nuk është rrethore e përsosur – ajo afrohet dhe largohet ndërsa rrotullohet.
Një superhënë ndodh kur Hëna është e plotë dhe ndodhet më afër Tokës në orbitën e saj, duke bërë që ajo të duket deri në 14% më e madhe dhe 30% më e ndritshme sesa hëna më e zbehtë e vitit, shkroi AP.
Superhëna e nëntorit është e dyta nga tri superhëna që ndodhin këtë vit dhe gjithashtu më e afërta: Hëna do të afrohet në një distancë prej rreth 357,000 kilometrash nga Toka.
Asnjë pajisje e veçantë nuk nevojitet për ta parë superhënën – mjafton që qielli të jetë i kthjellët.
Megjithatë, ndryshimi në madhësinë e saj është vështirë të dallohet me sy të lirë.