Një diamant me peshë gati 10 karat është shitur në një ankand në Zvicër për 20.5 milionë franga zvicerane apo 25.6 milionë dollarë, raportoi të mërkurën Associated Press.
Guri i quajtur “Mellon Blue” 9.51 karatësh — i emëruar sipas pronares së ndjerë amerikane të arteve Rachel “Bunny” Mellon — pritej të shitej 20-30 milionë dollarë në ankandin e Christie’s të martën.
“S’ishte momenti që e prisja. Tensionet gjeopolitike – nga lufta në Ukrainë te tarifat e Trumpit – si dhe ekonomia e dobësuar kineze mbajti larg shumë blerës të zakonshëm”, ka thënë Tobias Kormind, drejtor menaxhues i argjendarisë online 77 Diamonds.
Kjo shitje nuk ishte e kënaqshme për organizatorët. Christie’s ka deklaruar se çmimi më i lartë për një diamant të tillë ishte vendosur në Gjenevë në vitin 2016 kur “Oppenheimer Blue” prej 14.62 karatësh u shit për më shumë se 57 milionë dollarë.
“Mellon Blue” u shit më parë në vitin 2014, vitin kur vdiq Mellon, për 32.6 milionë dollarë, që ishte një nga çmimet më të larta të paguara ndonjëherë për një diamant me ngjyrë në ankand.
Për dekada të tëra, guri ishte pjesë e koleksionit privat të Mellonit.