Një komunitet indigjen që jeton në pyjet tropikale të Amazonës ka filluar ta përdorë energjinë diellore. Fshati mori panele diellore për ta siguruar energjinë elektrike që u nevojitet për ta mbështetur biznesin e tyre turistik.
Një dërgesë speciale po bën rrugën e saj përgjatë Rio Negros.
Varka është rrugës për në një fshat indigjen në periferi të kryeqytetit të Amazonës, Manaus.
Punëtorët nga Kompania Shtetërore e Turizmit të Amazonës shkarkojnë ngarkesën e tyre: panelet diellore.
Kjo teknologji e shekullit të 21-të do të përdoret nga njerëz që jetojnë jetën më tradicionale.
Panelet do të sigurojnë energji elektrike të mjaftueshme për të fuqizuar disa pajisje bazë - siç është ndriçimi.
Panelet diellore janë pjesë e një programi të quajtur "Shine Amazonas", i cili promovon turizmin e qëndrueshëm në komunitetet indigjene.
Programi synon të shpërndajë 253 komplete të energjisë diellore për komunitetet indigjene të Brazilit.
“Shumica e komuniteteve rreth këtij lokacioni kanë turizmin si burimin kryesor të të ardhurave. Pra, sjellja e energjisë diellore, dhënia e kushteve bazë, dinjiteti, cilësia e jetës, zhvillimi i këtij segmenti, është thelbësore që ata të vazhdojnë të veprojnë në këtë aktivitet ekonomik”, shpjegon Gustavo Sampaio, president i Kompanisë Shtetërore të Turizmit të Amazonës.
Në fshatin indigjen Tatuyo, turistët ftohen të përjetojnë një shkëmbim kulturor me jetën e tyre tipike të përditshme.
Ka histori indigjene, prezantime vallëzimi, rituale, shtigje nëpër xhungël për të gjetur bimë medicinale, vepra artizanale dhe më shumë.
Disa nga traditat e komunitetit mund të jenë të pazakonta për të huajt - për shembull milingonat nuk janë një përbërës i rregullt në kuzhinat e shumë kulturave.
Por panelet e reja diellore do ta bëjnë pak më të lehtë për t'i mësuar pjesës tjetër të botës se si ata jetojnë.