Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Dyfishimi i indigjenëve në Brazil

Numri i banorëve indigjenë të Brazilit thuajse është dyfishuar në krahasim me regjistrimin e fundit të popullsisë të vitit 2010. Tubimi ku morën pjesë mbi 24 mijë banorë indigjenë dhe ku u bë njoftimi mbi numrin e njerëzve të këtij komuniteti, u cilësua si “moment historik” për ta

Një grua thatanike me kapelë me pupël të bardhë, qëndroi në skenën e teatrit madhështor kolonial në Amazonë të Brazilit, të hënën, dhe iu drejtua turmës.

Gruaja, ministre e Indigjenëve, Sonia Guajajara, e shpalli ditën e hënë “moment historik të pjesëmarrjes indigjene”, teksa citoi të dhënat e regjistrimit, të sapo publikuara, të institutit kombëtar të statistikave, që zbuluan shtrirjen e plotë të popullsisë indigjene të vendit me gjithsej 1 milion e 693 mijë e 535 njerëz.

Ndonëse ky numër i banorëve përbën vetëm 0.8% të popullsisë së Brazilit, shifra ka shënuar rritje prej 89% nga regjistrimi i mëparshëm i vendit, i vitit 2010, për shkak të gatishmërisë më të madhe të njerëzve për të njohur rrënjët e tyre dhe metodave më të mira të anketimit, duke përfshirë qasjen në fshatrat e paarritshëm më parë, shpjegoi ajo. Kjo e fundit e shpjegon kryesisht pse numri i tyre brenda territoreve indigjene u rrit me 20%, në mbi 622 mijë.

“Ky është një moment historik për shkak të asaj që ka publikuar agjencia e statistikave”, shtoi ajo, në prag të Samitit dyditor të Amazonës në Belem. “Është një moment historik i rifillimit të pjesëmarrjes sociale, popullore dhe i dialogut të shoqërisë sonë civile me qeverinë”.

Ambienti dukej simbolik: një teatër që shfaq dekorin evropian - llambadarë francezë, buste mermeri italiane dhe një pikturë masive në tavan që përshkruan hyjnitë greke. Ajo u ndërtua gjatë bumit të materialit të gomës, me pasuri të grumbulluara nga lënda e parë nga thellësitë e Amazonës dhe me pak vëmendje për atë që nxjerrja e kësaj lënde nënkuptonte për komunitetet lokale.

Image
Sonia Guajajara, Ministre e Popujve Indigjenë, në mes, kërcen me gratë indigjene të fisit Tembe në Belem të Brazilit

Mbledhja ishte pjesë e ngjarjeve që do përfshijnë Samitin e Amazonës, gjatë të cilit presidentë dhe përfaqësues nga tetë vende, ku gjenden pyjet më të mëdha tropikale të shiut në botë, do të mblidhen në këtë qytet për të diskutuar se si të përballen më mirë me sfidat e panumërta.

Rikthimi në dialog me qeverinë

Në të ashtuquajturat Dialogje të Amazonës, gjatë ditëve para samitit, pati një pjesëmarrje çuditërisht të ndryshme të delegacioneve nga rajonet e Amazonës. Disa udhëtime me varkë, për të arritur në Belem, zgjatën deri në pesë ditë.

Në rreth 400 ngjarje, përfaqësues të grupeve indigjene, komuniteteve të rajoneve afër lumenjve, peshkatarëve dhe pasardhësve afrikanë, u diskutuan tema të tilla si shkeljet nga kompanitë e karbonit, dhënia fund e shpyllëzimit dhe minierave të paligjshme. Një nga kërkesat e tyre kryesore ishte anulimi i projekteve të reja të naftës në rajon.

Megjithëse shumica e madhe vinte nga Brazili, i cili përfshin dy të tretat e Amazonës, kishte edhe përfaqësues nga të tetë vendet. Shumica e ngjarjeve u zhvilluan në të njëjtën qendër konventash ku presidentët do të takohen duke filluar nga e marta.

Atje, banorët indigjenë të Waraos nga Venezuela shisnin vepra artizanale të bëra me kashtë pranë indigjenëve Kayapo që pikturonin trupat e tyre me dizajne tradicionale. Tezgat e komunitetit Riverine ishin të mbushura me mjaltë vendase, arra braziliane dhe miell kasava.

“Ju mund të shihni qartë se Brazili ka një problem të rëndësishëm social për të zgjidhur, një problem social të lënë nga qeveria e mëparshme”, tha udhëheqësja indigjene kolumbiane, Anitalia Pijachi Kuyuedo, duke iu referuar administratës së ish-presidentit të ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro. “Ka shumë ankesa, shumë dhimbje, shumë zemërim, dhe ju mund të ndjeni emocionet në fjalët e atyre, me të cilët flisni”.

Në një intervistë për Associated Press të hënën, ministrja Guajajara, pranoi se ankthi i tyre ka qenë i dukshëm, por më në fund ata kanë një forum të tyrin.

“Ishin gjashtë vite të heshtjes së plotë të shoqërisë civile dhe u shuan hapësirat për pjesëmarrje sociale. Njerëzit u frikësuan shumë që të shpreheshin”, tha Guajajara. “Ky është momenti i parë kur shoqëria po angazhohet sërish në dialog me qeverinë federale”.

Image
Burri indigjen duke mbajtur flamurin brazilian në një pavijon të flamujve të shteteve palë të Traktatit të Bashkëpunimit të Amazonës.

Mbrojtje për pyjet e Amazonës

Qeveria e Brazilit kishte pritur të mblidheshin vetëm 10 mijë pjesëmarrës, por në vend të kësaj, 24 mijë erdhën, sipas Guajajaras.

Mbi 1.200 prej tyre po bënin kamp në një park privat rekreativ në periferi të Belemit, me tenda të rregulluara në rreshta, pranë shtegut prej guri. Të hënën herët, ata u zgjuan për të ngrënë mëngjes dhe filluan të përgatiteshin për ngjarjet e ditës së ardhshme.

Disa buzëqeshnin me pamjen e shefit, Raoni Metuktire, një lider nga Amazona i njohur në mbarë botën për mbrojtjen e mjedisit, i cili qëndronte ulur në një karrige pranë shtegut dhe pinte duhan.

Diolina Krikati kishte udhëtuar me rreth 40 persona të tjerë nga shteti i saj i lindjes, Maranhao, për në Belem. Në një intervistë, ajo theksoi rëndësinë e Amazonës për gjenerimin e shirave, që mundësojnë ujitjen e të korrave në fusha larg pyllit – duke siguruar një jetesë jo vetëm për njerëzit indigjenë, por edhe për shumë brazilianë joindigjenë.

“(Samiti) është njësoj si të sigurosh një moment për të dëgjuar njerëzit indigjenë dhe zëri ynë duhet të dëgjohet. Është një moment që duhet të flasim për nevojat dhe vështirësitë tona”, tha Krikati, 31 vjeçe.

Një tjetër banor indigjen i pranishëm ishte, Naldinho Kumaruara, 29 vjeç, një udhëheqës shpirtëror, i cili në kokë mbante një kurorë me pupla të kaltra të papagallit, në qafë një gjerdan të bërë nga kockat e gjarpërinjve dhe një instrument muzikor gjigant në dorë.

Kumaruara erdhi nga territori i tij indigjen – i kërcënuar nga prerjet e paligjshme dhe peshkimi, dhe turizmi grabitqar – në Belem, kryeqyteti i shtetit. Ai veçse kishte biseduar me anëtarët e sekretariateve të arsimit dhe shëndetësisë të shtetit Para, të cilët vizituan parkun, si dhe me zyrtarë të sekretariatit të përgjithshëm të presidentit Luiz Inácio Lula da Silva, në qendrën e kongreseve.

Siguria e indigjenëve

Ai e vlerëson këtë mbledhje, që bashkon të gjitha kombet, që janë palë të interesuara në Amazonë, si një hap përpara, dhe gjithashtu një tubim që ka gjasa më të mira për të çuar përpara kauzat indigjene se të tjerat takime, si Kampi i Tokës së Lirë në kryeqytetin Brasilia.

“Tani është ndryshe, sepse ne mund të flasim vetë; nuk është një person i bardhë që vjen dhe flet për ne. Ne jemi gjithmonë të përfshirë, por nuk kemi pasur pozitë për të folur”, tha ai. “Sot, ne mund të flasim”.

Më vonë atë pasdite, Naldinho ishte mes atyre, që u mblodhën në teatrit kolonial të Belemit. Nga një ballkon i sipërm, ai shikonte teksa një grup adoleshentësh indigjenë këndonin në skenë.

Presidenti i përkohshëm i institutit të statistikave të Brazilit, Cimar Azeredo, e njoftoi turmën me statistikat e rillogaritura të popullsisë, duke thënë se kjo “ka ndihmuar në rizbulimin e Brazilit”.

Numri i tyre më i madh do të thotë se një pjesë më e madhe e burimeve qeveritare mund të ndahet për investime në shëndetin dhe arsimin e njerëzve indigjenë, bëri të ditur, në këtë ngjarje, ministri i Planifikimit dhe Buxhetit, Simone Tebet.

Ndërsa ministrja Guajajara theksoi se kjo do të thotë gjithashtu më shumë para për sigurinë – një nevojë që ajo tha se u theksua vetëm disa orë më parë, kur tre persona të etnisë Tembe u qëlluan.

Dhe në muajt e ardhshëm, ajo i tha turmës, qeveria federale do të dëbojë pushtuesit nga 32 territore indigjene; njoftimi i saj u prit me brohoritje dhe duartrokitje nga publiku, plus tingujt e instrumenteve muzikore nga druri, të indigjenëve.

“Kurrë më një Brazil pa ne!”

Përktheu: Forca Jashari

Artikuj të ngjashëm