Më shumë se dy milionë njerëz kanë ndjekur një koncert falas të Lady Gagas në plazhin Copacabana në Rio de Janeiro, sipas zyrtarëve të qytetit.
Koncerti më i madh i yllit të popit është paguar nga qyteti, në një përpjekje për të rigjallëruar ekonominë e Rios, raporton BBC.
Ata presin që kjo mund të sjellë 100 milionë dollarë të ardhura për ekonominë lokale.
Performanca e së shtunës ishte pjesë e një turneu promovues për albumin e tetë të Lady Gagas, “Mayhem”, këngët e të cilit përfshijnë Abracadabra dhe Die With a Smile. Ajo performoi për herë të fundit në Brazil në vitin 2012.
Disa fansa, të njohur si "Përbindëshat e vegjël" të Gaga-s, kishin nisur të mblidheshin në radhë herët në mëngjes për të hyrë në plazh.
Një operacion masiv sigurie ishte caktuar në vend, me 5,000 oficerë policie në detyrë, teksa të pranishmit duhej të kalonin përmes detektorëve metalikë. Autoritetet përdorën gjithashtu dronë dhe kamera për njohjen e fytyrës, për të ndihmuar policinë e ngjarjes.
Lady Gaga nuk është personi i parë që ka mbajtur një koncert falas në Brazil. Madonna ka mbajtur po ashtu një koncert në plazhin e Copacabana në maj të vitit 2024, i cili u pagua gjithashtu nga qyteti.
"Ju keni pritur për mua, ju keni pritur për më shumë se 10 vjet për mua”, ka thënë Lady Gaga e emocionuar para turmave ndërsa ajo shpalosi një flamur brazilian.
“Brazil, unë jam gati. Do të jap gjithçka”, është shprehur ajo më pas.
Mijëra kënduan së bashku me hitet e saj më të njohura, duke përfshirë Alejandro, Poker Face dhe Abracadabra, duke krijuar një atmosferë elektrike.
Fansat e saj kishin udhëtuar nga i gjithë vendi për të parë performancën madhështore.