Lady Gaga dhe i fejuari i saj, Michael Polansky, janë bërë prindër për herë të parë, ka konfirmuar Page Six.
Detaje të tjera, përfshirë emrin, gjininë dhe datën e lindjes së foshnjës, nuk dihen ende. Megjithatë, familja prej tre anëtarësh është parë së bashku në publik për herë të parë në Kaliforninë Veriore.
Muzikantja 40-vjeçare dhe sipërmarrësi 42-vjeçar, të cilët janë fejuar në mars të vitit 2024, janë shfaqur shumë pak muajt e fundit, duke nxitur spekulime në internet rreth statusit të marrëdhënies së tyre.
Gaga, emri i vërtetë i së cilës është Stefani Joanne Angelina Germanotta, nuk ishte parë në publik që nga muaji gusht, kur ajo ndaloi për të bërë një selfie me një fans në Kaliforninë Veriore.
Para kësaj, "Mother Monster" ishte parë në "The Grove" në Los Anxhelos, në muajin maj, në një event.

Gaga ka përfunduar turneun e saj të fundit, "The Mayhem Ball", në prill. Turneu ka zgjatur pothuajse nëntë muaj dhe përfshinte 86 shfaqje në mbarë botën.
"Ajo nuk ka pasur vërtetë një jetë private që kur ishte rreth 22 vjeçe... ajo ka qëndruar larg vëmendjes që kur përfundoi turneu”, ka thënë një burim pranë Gagës për Page Six, duke theksuar se "gjithçka është në rregull" dhe se ata e shohin pozitivisht faktin që këngëtarja e ka Polansky-n në krah.
Gaga dhe Polansky kanë nisur lidhjen në vitin 2019. Që nga fejesa e tyre në prill të vitit 2024, këngëtarja e hitit "Poker Face" ka folur hapur për dëshirën e saj për t'u bërë nënë një ditë.
"Jam e emocionuar që do të bëhem nënë. Dikur kisha shumë frikë apo pasiguri lidhur me këtë”, ka thënë ajo në një intervistë për Neë York Times në mars të vitit 2025.
"Gjëja më e rëndësishme për mua është të mos i detyroj fëmijët e mi të jetojnë një jetë që ata nuk e kanë zgjedhur vetë. Kështu që, sa më shumë hapësirë t'u japim atyre për të zbuluar se kush janë, aq më mirë. Kjo është gjëja tek e cila besoj më së shumti”, kishte deklaruar.
Megjithatë, fituesja e çmimit Grammy e kishte pranuar në atë kohë se po përballej me dilemën se si ardhja në jetë e një fëmije do të ndikonte në jetën e saj.
