Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Houthit marrin nën kontroll një port kyç në Detin e Kuq, kërcënohet rrjedha globale e naftës

Houthi

Foto: Associated Press

Militantët Houthi, të lidhur me Iranin, kanë marrë nën kontroll qytetin port të Mokës në Jemen të enjten, kanë thënë burime ushtarake, duke paraqitur një kërcënim të mëtejshëm për furnizimet globale me naftë, vetëm disa orë pasi presidenti Donald Trump tha se priste që lufta të përfundonte pas zgjedhjeve të mesmandatit që mbahen më 3 nëntor në SHBA.

Katër burime ushtarake nga qeveria jemenase kanë thënë se Houthit kishin arritur më shumë ndikim mbi Ngushticën Bab el-Mandeb, dalja jugore e Detit të Kuq dhe një nga rrugët më të rëndësishme të transportit detar në botë, ndërsa po nisnin sulme ndaj ishujve strategjikë Hanish.

Houthit i janë bashkuar luftës aktuale në krah të Iranit me një sulm ndaj Izraelit më 28 mars, por kryesisht kanë qëndruar të qetë përpara se të shpallnin një bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite në korrik dhe të shtonin sulmet ndaj jugut të mbretërisë në shtator.

Arabia Saudite, eksportuesja më e madhe e naftës në botë, është mbështetur në rrugën detare të Detit të Kuq që kur konflikti me Iranin praktikisht ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalonte një e pesta e naftës globale. 

Riadi zyrtae dhe Teherani zyrtar, pavarësisht përmirësimit të marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Kina, kanë qenë prej kohësh rivalë rajonalë dhe kanë mosbesim të thellë ndaj njëri-tjetrit.

Tensionet në rajon ishin të larta të enjten, teksa autoritetet saudite të mbrojtjes civile lëshuan për herë të katërt brenda 24 orëve alarme emergjente në qytetin jugperëndimor Khamis Mushait, ndërsa Houthit kryenin sulme.

Pakistani i ka përcjellë Iranit një paralajmërim nga Arabia Saudite që të frenojë aleatët e tij Houthi në Jemen, në përpjekje për të parandaluar përshkallëzimin e krizës, kanë thënë burime saudite, pakistaneze dhe iraniane.

Një zyrtar i lartë iranian ka konfirmuar se Pakistani ia kishte përcjellë mesazhin Teheranit të martën dhe se përgjigjja e Iranit ishte: “Irani nuk i kontrollon Houthit”.

Përshkallëzimi i konfliktit në Jemen mes aleatëve jemenas të Arabisë Saudite, që janë pjesë e qeverisë së mbështetur ndërkombëtarisht, dhe Houthive, vjen në një kohë kur Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar valën më të madhe të deklaruar të sulmeve reciproke ndaj transportit detar në rajonin e Gjirit që nga fillimi i luftës në shkurt.

Presidenti amerikan ka kërcënuar sërish se do të sulmonte një objekt të lidhur me programin bërthamor të Republikës Islamike.

Çmimet e naftës referente Brent kanë qëndruar mbi 100 dollarë për fuçi të enjten, ndërsa rrugët e furnizimit përmes Ngushticës së Hormuzit dhe Detit të Kuq mbetën të ndërprera. 

Të konsideruar pjesë e një aleance rajonale të njohur si “Boshti i Rezistencës”, të mbështetur nga Irani, Houthit kanë mbështetur gjithashtu palestinezët në luftën në Gazë, duke lëshuar dronë dhe raketa drejt Izraelit dhe duke sulmuar anijet tregtare në Detin e Kuq.

Bab el-Mandeb, ose “Porta e Lotëve”, e quajtur kështu për shkak të kushteve të rrezikshme të lundrimit, shtrihet mes Jemenit në Gadishullin Arabik dhe Xhibutit e Eritresë në bregdetin afrikan, duke e bërë atë një objektiv të rëndësishëm për Houthit, të cilët kontrollojnë zonat më të populluara të Jemenit dhe pjesën më të madhe të veriut të vendit.

Ajo është një nga rrugët më të rëndësishme në botë për transportin e naftës bruto dhe karburanteve nga Gjiri drejt Mesdheut përmes Kanalit të Suezit ose përmes tubacionit Suez-Mesdhe në bregdetin egjiptian të Detit të Kuq, si dhe për mallrat që transportohen drejt Azisë, përfshirë naftën ruse.