Rënia e shpejtë e Mokhas dhe mungesa e rezistencës kanë shkaktuar akuza dhe përplasje mes aleatëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Dështimi këtë herë nuk është i jemenasve”, i tha CNN-it të enjten një burim rajonal. “Është një katastrofë e krijuar në Washington dhe Riad”, shtoi ai.
Thirrjet e dëshpëruara të gjeneralëve jemenas për mbështetje ajrore nisën të vinin të enjten, rreth mesit të mëngjesit. Përparimi i Houthive të mbështetur nga Irani drejt portit strategjik jemenas të Mokhas ishte në zhvillim të plotë, ndërsa mbështetja e aleatit kryesor, Arabisë Saudite, nuk po dukej askund.
“Houthit hodhën në betejë gjithçka që kishin, valë pas vale luftëtarësh...së bashku me raketat balistike dhe armët në dispozicion”, i tha CNN-it një burim i lartë jemenas pranë forcave ushtarake. Burimi tha se kishte kontaktuar Komandën Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) dhe ishte siguruar se SHBA-ja “po e monitoronte nga afër situatën dhe se mbështetja ajrore saudite po vinte”.
“Por mbështetja ajrore nuk erdhi kurrë”, tha burimi. “Dhe tani Mokha ka rënë”.
Disa orë më vonë, të premten, Houthit morën kontrollin e një tjetër pozicioni kyç në bregdet, ishullin Perim, në hyrje të Detit të Kuq. Ishulli e ndan ngushticën Bab al-Mandeb në dy pjesë, duke i dhënë Teheranit kontroll de facto mbi një tjetër rrugë të rëndësishme detare.
Përparimi i shpejtë i Houthive përbën një zhvillim të jashtëzakonshëm në një konflikt që kishte qenë kryesisht i ngrirë prej vitesh. Por terreni për rifillimin e luftimeve ishte përgatitur prej muajsh, mes konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, ndërsa Teherani zyrtar kërkon të përdorë çmimet e naftës, dhe ndikimin e tij në ekonominë globale, si mjet presioni.
Tani, Jemeni dhe Deti i Kuq kanë potencialin të shndërrohen në një front të vërtetë të dytë në luftën me Iranin.
Kontrolli efektiv i Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit, i kombinuar me forcimin e kontrollit të tij mbi ngushticën Bab al-Mandeb, kërcënon t’i çojë çmimet e naftës edhe më lartë, vetëm disa javë para zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara, që mbahen më 3 nëntor.
Ndërsa ngushtica Bab al-Mandeb, porta hyrëse drejt rrugës detare të Kanalit të Suezit, është më pak kritike për tregjet globale të energjisë sesa Hormuzi, ajo ende shërben si rrugë për transportin e mallrave thelbësore në mbarë botën, përfshirë miliona fuçi naftë çdo ditë. Ngushtica është bërë gjithnjë e më e rëndësishme që nga fillimi i luftës me Iranin, pasi Arabia Saudite ka devijuar një pjesë të eksporteve të saja përmes kësaj rruge ujore për ta shmangur Hormuzin.
“Houthive nuk u nevojiten armë të avancuara për ta mbyllur Bab al-Mandebin. Ata mund të përdorin thjesht një top të vendosur mbi një veturë”, tha Amr Al-Bidh, zyrtari më i lartë i Këshillit Tranzitor Jugor të Jemenit (STC). STC-ja ka luftuar në të kaluarën si kundër Houthive, ashtu edhe kundër forcave të mbështetura nga Arabia Saudite dhe kërkon krijimin e një shteti të pavarur në jug.
“Është një mjet presioni që ata e kanë pa përdorur armë të avancuara”, i tha Al-Bidh CNN-it në një intervistë. “Dhe ata do ta ruajnë këtë avantazh”.

Lista me ushtarë “fantazmë” dhe mungesë e mbështetjes
Princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, foli dy herë të enjten me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe i kërkoi atij t’i godiste Houthit, tha të premten për CNN një burim tjetër i njohur me çështjen. Sipas këtij burimi, Trumpi refuzoi të ndërhynte.
“Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara në mbrojtjen e interesave tona thelbësore të sigurisë kombëtare, si garantimi i lirisë së lundrimit në Detin e Kuq, ndërsa u japim partnerëve tanë rajonalë mundësinë të marrin drejtimin në menaxhimin dhe zgjidhjen e sfidave të sigurisë në rajon”, tha Shtëpia e Bardhë në përgjigje të pyetjeve të CNN lidhur me telefonatat. “Ne jemi në dialog të vazhdueshëm me Arabinë Saudite dhe Qeverinë e Republikës së Jemenit për stabilitetin rajonal”.
Rënia e shpejtë e Mokhas dhe mungesa e rezistencës kanë shkaktuar akuza dhe përplasje mes aleatëve të SHBA-së.
“Dështimi këtë herë nuk është i jemenasve”, i tha CNN-it të enjten një burim rajonal. “Është një katastrofë e krijuar në ashington dhe Riad”, shtoi ai.
Burimi rajonal i tha CNN-it se kishte pasur “një dështim të plotë të udhëheqjes politike”, mes përplasjeve të ashpra dhe vonesave në marrjen e vendimeve në Riad.
“Nuk pati asnjë sulm ajror (nga forcat saudite mbështetëse), megjithëse kishte përditësime minutë pas minute”, shtoi burimi rajonal.
“Është një dështim kolosal saudit-amerikan”, tha ai.
Jo të gjithë janë dakord. Mohammed al-Basha, i cili ka shërbyer si këshilltar për Qeverinë amerikane dhe sektorin privat lidhur me rreziqet që vijnë nga Gadishulli Arabik, argumentoi se përgjegjësia bie edhe mbi udhëheqësit jemenas, ndarjet e brendshme të të cilëve dobësuan mbrojtjen e tyre.
“Kjo lidhet me një problem më të thellë brenda koalicionit anti-Houthi”, i tha CNN-it këshilltari me seli në Washington. “Nuk ka kohezion politik”.
“Mendoj se të gjithë ishin në dijeni të përparimit të Houthive drejt bregdetit perëndimor. Shenjat ishin shumë të qarta”, shtoi ai. “Në Jemen nuk ka një komandë dhe kontroll të unifikuar”.
Luftëtarët e Houthive mbërritën në Mokha të enjten dhe gjetën batalione jemenase të reduktuara ndjeshëm. Listat e tyre ishin të mbushura me “emra fantazmë” që merrnin paga, ndërsa forca reale e ushtrisë ishte vetëm rreth 20% e asaj që shfaqej në dokumente, tha për CNN një burim perëndimor me njohuri për operacionet.
Situata u përkeqësua edhe nga fakti se Emiratet e Bashkuara Arabe, dikur pjesë e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen, tërhoqën forcat e tyre të mbetura nga vendi në janar, pasi Arabia Saudite kërkoi largimin e tyre për shkak të një mosmarrëveshjeje. Arabia Saudite nuk i zëvendësoi trupat e tërhequra në ato kazerma dhe baza.
“Nuk ka kuptim. Dua të them, ke mbështetësin kryesor të forcave ushtarake në terren... që në fakt po e bën të gjithë këtë punë prej 10 vjetësh, dhe papritur i kërkon të largohet dhe nuk e mbush atë boshllëk”, shtoi Al-Bidh i Këshillit Tranzitor Jugor të Jemenit. “Është thjesht mungesë strategjie dhe menaxhim i dobët”.
Zyrtari i lartë jemenas i tha CNN-it të premten se kishte “paralajmëruar vazhdimisht Komandën Qendrore të SHBA-së gjatë ditëve të fundit, përfshirë edhe dje, se situata po bëhej kritike”. CNN-i ka kontaktuar CENTCOM-in për një përgjigje.
Kreu i CENTCOM-it, admirali Brad Cooper, ndodhej të enjten në Arabinë Saudite për takime koordinuese, thanë dy burime të njohura me çështjen. CENTCOM refuzoi të komentonte, duke përmendur arsyet e sigurisë operacionale.
Ushtria saudite ishte vënë në gatishmëri të lartë tre javë më parë, thanë burimet për CNN-in, por nuk kishte vendosur në pozicion personelin kryesor të komandës ajrore.
Burimi perëndimor, me njohuri për betejën, tha se Arabia Saudite nuk kishte vendosur kurrë personelin e nevojshëm për t’i kontrolluar dhe drejtuar avionët luftarakë në rast të një sulmi serioz.
“Sauditët i lanë jemenasit në baltë”, i tha CNN-it të enjten burimi perëndimor.
CNN ka kontaktuar Ministrinë saudite të Informacionit për koment lidhur me këto akuza.
Dështimi i madh
Dështimi për ta mbrojtur Mokhan dhe Perimin është edhe më i pakuptueshëm në dritën e lajmit të fundit, raportuar ekskluzivisht nga CNN-i, se më shumë se 100 këshilltarë ushtarakë amerikanë ishin dërguar në Arabinë Saudite për t’i ofruar Mbretërisë mbështetje në fushën e inteligjencës dhe përcaktimit të objektivave gjatë fushatës së saj ushtarake, sipas pesë burimeve të njohura me operacionet.
Personeli ushtarak amerikan po punon si pjesë e një komande të re të përbashkët të forcave, e cila u krijua gjatë javëve të fundit, mes shenjave se Irani po shtonte përpjekjet e veta për t’i ndihmuar sulmet e Houthive, tha një nga burimet, një zyrtar amerikan. Ky zyrtar vlerësoi se numri i përgjithshëm i personelit amerikan në Arabinë Saudite ishte rreth 200 trupa.
Marrja nën kontroll e pikave strategjike në Detin e Kuq u jep Houthive shumë më tepër liri veprimi dhe avantazh strategjik, pasi hap vende të reja nga të cilat rebelët e mbështetur nga Irani mund të nisin varka dhe sulme.
I pyetur se çfarë vjen më pas, analisti Al-Basha, i tha CNN-it: “Mendoj se Houthit do të lëvizin drejt lindjes. Sot po shohim, përmes satelitëve dhe fotografive të inteligjencës me burim të hapur (OSINT)... se Houthit po mobilizohen”.
Një këshilltar i liderit suprem të Iranit e përshkroi të premten përparimin e Houthive në bregdetin perëndimor të Jemenit si një “fitore të qartë”, duke shkruar në një postim në X se “populli amerikan dhe aleatët e Washingtonit po paguajnë çmimin për krizën ekonomike dhe ambiciet e Trumpit”.