Shtetet arabe të Gjirit kanë anuluar një takim me Iranin, të planifikuar për të hënën, ndërsa Houthët e Jemenit ndërmorën një tjetër sulm ndaj Arabisë Saudite.
Luftimet e kanë shtrirë konfliktin në Lindjen e Mesme në një tjetër front dhe kanë vënë më tej në rrezik furnizimet globale me naftë.
Houthit e Jemenit, të rreshtuar me Iranin, kanë thënë se të hënën kanë lëshuar dhjetëra raketa dhe dronë drejt një baze ajrore ushtarake saudite në Khamis Mushait, pranë kufirit, duke goditur hangarët e avionëve, sistemet e radarëve, pistat dhe depot e municioneve. Ata e kanë përshkruar sulmin si hakmarrje për qindra sulme ajrore saudite ndaj Jemenit gjatë ditëve të fundit.
Autoritetet saudite kanë njoftuar për alarme të shkurtra emergjence në atë zonë dhe në tri qytete të tjera jugore, të cilat më parë kanë qenë objektiv i sulmeve të Huthëve.
Houthit kanë nisur një përparim të shpejtë javën e kaluar në Jemen, i cili kulmoi me pushtimin e një ishulli në hyrje të Detit të Kuq të premten. Një sulm tjetër po atë ditë, për të cilin Riadi zyrtar ka fajësuar luftëtarët e mbështetur nga Irani në Irak, ka nxjerrë jashtë funksionit gazsjellësin saudit lindje-perëndim, rruga kryesore për transportimin e naftës së Lindjes së Mesme duke shmangur Ngushticën e bllokuar të Hormuzit.
Çmimet e naftës bruto janë rritur me më shumë se 3% të hënën.
Tregtarët thonë se mbyllja e gazsjellësit saudit mund të ndërpresë deri në 4% të furnizimit global me naftë, nëse ai nuk vihet sërish në funksion brenda pak ditësh.
Imazhet satelitore tregojnë pjesë të gazsjellësit të dëmtuara nga zjarret. Riadi nuk ka dhënë një vlerësim të saktë se sa gjatë do të qëndrojë i mbyllur.
Omani ishte planifikuar të priste të hënën një takim me Iranin dhe shtetet e Gjirit për të diskutuar negociatat që synojnë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, rrugës më të rëndësishme në botë për transportin e naftës, e cila është kryesisht e mbyllur që kur SHBA-ja dhe Izraeli sulmuan Iranin në fund të shkurtit.
Por ministri i Jashtëm i Omanit, Sayyid Badr Albusaidi, ka njoftuar gjatë natës se takimi ishte shtyrë “në interes të arritjes së konsensusit”. Irani ndërkaq ka thënë se shtyrja ishte bërë me kërkesë të Arabisë Saudite.
Ndërkohë, Irani ka publikuar një listë me 77 anije që, sipas tij, kishin shkelur protokollet e vendosura për operimin në Ngushticën e Hormuzit. Çdo anije në këtë listë do të përballej me “kufizime për kalimet e ardhshme, përfshirë gjoba, ndalim ose konfiskim”, ndërsa në listë do të shtoheshin edhe anije të tjera që i kishin ndihmuar ato duke pranuar transferime ngarkesash.