Një burrë i ka kaluar plot 38 vjet në burg për një vrasje të vitit 1983 në Los Angeles, që së voni u dëshmua se ai nuk ishte fajtori, shkroi DailyMail të enjten.
Maurice Hastings u lirua nga burgu vetëm pasi provat e ADN-së vërtetuan se ai s’kishte dorë në vrasjen e Roberta Wydermyer, që fillimisht ishte sulmuar seksualisht, e më pas ishte vrarë me plumb në kokë.
Trupi i saj ishte gjetur në bagazhin e automjetit të saj në periferi të Los Angelesit, njoftuan autoritetet amerikane.
Hastings tha se është i lumtur që “më të fund” është marrë vendimi i drejtë, ndërsa tha se prej tash do ta shijojë jetën.
“Jam gati të vazhdoj jetën time. Unë jam njeri i lumtur sot”, tha amerikani.
Prokurori i rrethit, George Gascon, deklaroi se Hastings i ka kaluar katër dekada në burg dhe është rraskapitur, por i mbijetoi një ankthi dhe është “i palëkundur e besnik”.
Kryesi i vërtetë i vrasjes kishte vdekur në vitin 2020.
Ndërsa, ende s’është vendosur nëse do të ketë dëmshpërblim për Hastings.