A mund ta imagjinoni të kaloni 100 ditë në izolim të plotë, në një hapësirë të mbyllur, pa pasur kontakte me miqtë dhe familjen, nën rregulla të rrepta dhe të jeni në një ekip të vogël e të ndarë plotësisht nga bota e jashtme?
Pikërisht kështu jetojnë astronautët – dhe ky është parimi që qëndron pas studimit “SOLIS100”, të cilën Qendra Gjermane Hapësinore (DLR) do ta kryejë në Koeln nga pranvera e ardhshme. Aktualisht po kërkohen vullnetarë, raporton “Dlr.de”.
DLR po kërkon gjashtë vullnetarë të cilët, si pjesë e studimit “SOLIS100”, do të kufizohen në një qendër kërkimi për 100 ditë. Synimi është të shihet se si izolimi afatgjatë dhe hapësira e mbyllur ndikojnë në trup dhe në aspektin psikik, në mënyrë që të bëhen përgatitje sa më të mira për misionet e ardhshme hapësinore. Kompensimi i pritur është 23 mijë euro, por jo të gjithë mund të aplikojnë.
Studimi u iniciua nga Agjencia Evropiane Hapësinore (ESA) për t’i shqyrtuar efektet e izolimit tek astronautët.
Sikur astronaut, por pa qenë në hapësirë
Një udhëtim në Hënë zgjat rreth tri ditë, ndërsa një udhëtim në Mars zgjat rreth gjashtë muaj – dhe kjo vetëm kur Toka dhe Marsi janë në pozicionet e duhura. Kushdo që kalon muaj duke udhëtuar në një anije kozmike apo duke jetuar në një vend qindra mijëra kilometra larg shtëpisë, duhet të përballet me kushte jashtëzakonisht të vështira.
Përveçse duhet të jetë në harmoni me anëtarët e ekuipazhit, gjithashtu duhet të përshtatet me habitatin dhe distancën e largët nga shtëpia. Të menaxhohen burimet në mënyrë racionale dhe t’i kryejnë detyrat në mënyrë efikase për të mirën e misionit.
Pikërisht ky është qëllimi i studimit “SOLIS100”, ku do të vlerësohen rreziqet psikologjike dhe fizike që lidhen me izolimin afatgjatë dhe qëndrimin në hapësira të mbyllura.
“Misionet e ardhshme hapësinore do të shkojnë përtej orbitës së Tokës dhe do të synojnë destinacione më të largëta se Hënën dhe Marsin. Duke pasur parasysh se këto misione përfshijnë periudha të gjata në mungesë peshe, është më e rëndësishme se kurrë të përgatiten astronautët për sfidat psikologjike dhe fiziologjike”, tha Ameile Ter, udhëheqëse e projektit “SOLIS100” në Institutin Mjekësor në kuadër të DLR-së. “Misionet në Hënë dhe Mars kërkojnë qëndrueshmëri të fortë mendore dhe fizike, dhe aftësi për të qëndruar në kushte të izoluara dhe hapësira të kufizuara. Për të siguruar suksesin e misioneve të tilla dhe sigurinë e astronautëve, duhet të shqyrtojmë plotësisht ndikimin e këtyre rrethanave ekstreme në shëndetin, sjelljen dhe performancën e njeriut”.
Si do të jetë qëndrimi i pjesëmarrësve?
Gjashtë vullnetarët e përzgjedhur do të jetojnë 100 ditë në një hapësirë që simulon një stacion hapësinor, dhe do të kenë burime të kufizuara. Pjesëmarrësit do të ndjekin një rutinë të përditshme të ngjashme me atë të astronautëve. Do të punojnë së bashku si ekuipazh, do të kryejnë detyra shkencore, do të ushtrohen dhe do të kujdesen për “stacionin e tyre hapësinor”. E gjithë kjo do të jetë në mbikëqyrje 24-orëshe nga shkencëtarët.
Kush mund të aplikojë dhe në çfarë kushtesh?
Anëtarët duhet të kenë një profil të ngjashëm me atë të astronautëve, prandaj kriteret janë shumë të rrepta.
- Duhet të jenë mes 25 dhe 55 vjeç dhe të jenë të shëndetshëm dhe të aftë fizikisht.
- Kërkohet të paktën një diplomë bachelor, ndërsa arsimi i lartë dhe njohuritë e specializuara janë një përparësi.
- Përshtatshmëria mjekësore dhe psikologjike do të vlerësohet përmes pyetësorëve, testeve dhe ekzaminimeve të hollësishme.
- Meqenëse gjuha e punës dhe e studimit është ajo angleze, kërkohet njohuri e shkëlqyer e gjuhës.
- Sigurimi shëndetësor duhet të jetë i vlefshëm.
- Shtetasit që vijnë jashtë BE-së dhe Zonës Ekonomike Evropiane, duhet të kenë vizë dhe lejeqëndrim për një qëndrim afatgjatë (më të gjatë se 90 ditë), ndërsa ata janë përgjegjës për sigurimin e tyre të udhëtimit.
Kohëzgjatja e programit dhe aplikimet
Programi është planifikuar të fillojë më 6 prill 2026 dhe të përfundojë më 7 gusht. Duke përfshirë fazën e përgatitjes dhe rikuperimit, studimi “SOLIS100” do të zgjasë gjithsej 126 ditë: dy javë përgatitje, 100 ditë izolim, shtatë ditë rikuperim dhe dy kontrolle mjekësore pasuese – pas 30 ditësh dhe më së voni pas gjashtë muajsh.
Aplikimet janë të hapura deri më 12 dhjetor 2025 përmes faqes zyrtare të internetit të DLR-së.