NASA ka thënë se shpreson që të dërgojë astronautë në një ekspeditë dhjetëditore rreth Hënës që në shkurt të vitit të ardhshëm, raporton BBC.
Agjencia hapësinore amerikane është zotuar më parë të niste një ekuipazh për një mision rreth Hënës qysh në prill të vitit të ardhshëm, por synimi tash është të realizohet në shkurt.
Kanë kaluar mbi 50 vjet që kur ndonjë vend ka dërguar astronautë rreth Hënës. NASA do të dërgojë katër astronautë në misionin e planifikuar.
Misioni “Artemis II” është lansimi i dytë i programit Artemis, qëllimi i të cilit është të zbarkojë astronautë dhe prëfundimisht të krijojë një prani afatgjate në sipërfaqen hënore.
Lakiesha Hawkins, zëvendësadministratore e NASA-s, tha se do të ishte moment i rëndësishëm.
“Dritarja e nisjes mund të hapet që më 5 shkurt, por ne duam të theksojmë se siguria është përparësa jonë”, ka thënë Hawkins.
Misioni i parë i Artemis zgjati 25 ditë, kur ishte lansuar një anije kozmike pa ekuipazh në nëntor të vitit 2022. Anija kozmike udhëtoi rreth Hënës dhe rihyri në atmosferën e Tokës.
Misioni ishte jashtëzakonisht i suksesshëm, megjithëse pati probleme me mbrojtjen e nxehtësisë ndërsa anija kozmike hyri në atmosferën e Tokës. Këto probleme janë adresuar që nga atëherë.
“Artemis II” do të shohë katër astronautë që do të shkojnë në një ekspeditë dhjetëditore vajtje-ardhje drejt Hënës dhe përsëri në Tokë.
Astronautët, Reid Wiseman, Victor Glover, Christina Koch dhe Jeremy Hansen, nuk do të ulen në Hënë, megjithëse do të jenë ekuipazhi i parë që do të udhëtojë përtej orbitës së ulët të Tokës që nga Apolo 17 në vitin 1972.