Në Prekaz e edhe në kryeqytet, qytetarët kanë thënë se festa është më e zbehtë, pas dënimit në shkallë të parë të ish-krerëve të UÇK-së
Në përvjetorin e sivjetmë të Ditës së Flamurit, janë përcjellë mesazhe solidariteti me ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që janë dënuar në shkallë të parë nga Gjykata Speciale në Hagë.
Një nga ish-pjesëtarët e UÇK-së, i cili bëri homazhe në Prekaz, ka thënë se kremtja e sivjetme është më e zbehtë.
“Kemi ardhë me bashkëluftëtarë të të gjitha viseve shqiptare. Dënimi i ish-krerëve e zbeh festën e madhe që e kemi në mungesë të liderëve çlirimtarë që janë të dënuar padrejtësisht dhe shpresoj që në festat e tjera që kemi do të jenë bashkë me ne”, është shprehur Jeton Kuqi.
Edhe në Prishtinë u shpreh solidaritet i njëjtë.
“Kjo festë është e mangët pa çlirimtarët tanë të cilët janë në Hagë dhe shpresojmë që vitet e ardhshme të jenë edhe ata këtu dhe të festojmë së bashku”, ka deklaruar Blerim Berisha.
Mesazhi lidhet edhe me pamjen e re që mori për këtë 28 Nëntor monumenti NEWBORN në Prishtinë.
Fjala “NEW” është ngjyrosur me të kuqe, ndërsa “BORN” me të zezë, kurse monumentit i është shtuar edhe logoja e UÇK-së.
Ndryshimi është realizuar me iniciativë të platformës “Liria ka emër”, që avokon për lirimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së.
“Beteja e Hagës e ka krijuar një moment të ri shoqëror, i cili ka qenë rigjenerim i të rinjve që s’e kanë përjetuar luftën, në raport me emocionin edhe me dëshirën për t’u identifikuar me çfarë ka qenë, çfarë ka ndodhur vërtet dhe ku jemi sot”, ka thënë Eliza Hoxha, përfaqësuese e platformës “Liria ka Emër”.
Për qytetarët, 28 Nëntori mbetet datë që bashkon disa prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë kombëtare.
“Kjo është një festë që shqiptarët në të gjitha trojet që janë duhet ta festojnë të gjithë bashkë. Dita e flamurit tonë kombëtar pavarësia e Shqipërisë, ditëlindja e komandantit tonë legjendar Adem Jasharit, por edhe dita e daljes së UÇK-së, në skenë”, ka thënë Naim Demi.
Përveç mesazheve për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, festa u shënua me homazhe e aktivitete që rikujtuan rrugën drejt lirisë e pavarësisë.
Në shtator, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi u dënuan me 81 vjet burgim nën akuzat për krime lufte.