Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sporte të tjera

Kosova synon vendin e tretë në “IHF Nations Trophy”

Kosova synon vendin e tretë në “IHF Nations Trophy”

Hendbollistet e Kosovës do të luajnë për vendin e tretë në turneun “IHF Nations Trophy”, që po mbahet në Kranevo të Bullgarisë. 

Ndeshja për pozitën e tretë luhet të dielën mbrëma.

Kosova nuk arriti të sigurojë finalen, pasi në gjysmëfinale të shtunën u mposht nga Bjellorusia me rezultatin 33:16.

Përzgjedhësi Nenad Shoshtariq u dha hapësirë të gjitha lojtareve të Kosovës, të cilat në periudha të caktuara të ndeshjes arritën të rivalizonin me hendbollistet me përvojë të Bjellorusisë.

Pavarësisht humbjes, kjo përballje paraqet një përvojë të rëndësishme ndërkombëtare për hendbollistet e reja kosovare. Pikërisht fitimi i përvojës në gara të nivelit të lartë është objektivi kryesor i pjesëmarrjes së Kosovës në këtë turne.

Kosovën në mars e presin ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian 2028, ndërsa në prill do të garojë në fazën e fundit kualifikuese për Kampionatin Botëror.

Ndërkohë, synimi i radhës në Bullgari mbetet sigurimi i vendit të tretë në “IHF Nations Trophy”.

Ndërkohë të shtunën disfatë pësuan edhe hendbollistet U17 nga Greqia me rezultatin 27:23, në ndeshjen e dytë kualifikuese për Euro 2027.