LAJMET E MBRËMJES

ZKA-ja evidenton dhjetëra shkelje në kontrata milionëshe të lidhura nga Komuna e Prishtinës

Shkelje ligjore e procedurale në kontrata milionëshe të lidhura nga Komuna e Prishtinës ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin vjetor auditues të pasqyrave financiare për vitin 2024. ZKA-ja ka gjetur 31 raste të pagesave në vlerë prej 4,382,079 eurosh, ku nuk janë respektuar hapat e përcaktuar për procedimin e tyre, gjithashtu sipas Zyrës së Auditimit, Komuna ka ndarë mbi 5 milionë euro në kundërshtim me ligjin dhe dhjetëra gjetje të tjera. Lidhur me këtë raport, kryetari Përparim Rama ka refuzuar të japë komente.

Komuna e Prishtinës ka ndarë mbi 5 milionë euro në kundërshtim me ligjin dhe ka hyrë në obligime kontraktuale milionëshe pa mbulesë të mjaftueshme buxhetore, ka gjetur si shkelje Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për vitin 2024

Sipas raportit të siguruar nga KOHA, janë evidentuar dhjetëra shkelje të ligjit, keqmenaxhim dhe parregullsi të shumta procedurale.

Zyra e Auditorit ka përmendur 15 shkelje kryesore që kanë ndikuar në dhënien e një opinioni të kualifikuar për Komunën, opinion që jepet kur evidentohen deklarime të pasakta apo mospërputhje me kornizat ligjore.

Sipas ZKA-së, Komuna ka nënshkruar marrëveshje kontraktuale me UNDP-në për ndërtimin e dy projekteve të mëdha: Sallës multifunksionale në Tulltore dhe Sallës koncertale në ish-objektin e Gërmisë.

Për këto projekte, Komuna është zotuar t’i transferojë UNDP-së një shumë parapagimi prej 5,120,000 eurosh.

“Kjo marrëveshje, ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik dhe Ligjin e Buxhetit për vitin 2024 për shkak se Komuna kishte deleguar të gjitha përgjegjësitë për zhvillimin e procedurave të prokurimit tek UNDP, por edhe kishte transferuar në formë të parapagimit të gjitha fondet tek UNDP”, thuhet në raport.

Përveç kësaj, auditorët kanë theksuar nevojën për përmirësim të menaxhimit të kontratave publike dhe subvencioneve, pagesave të kryera pa procedura të rregullta prokurimi e pa raporte pranimi, si dhe ndryshimeve në shumat buxhetore pa miratim përkatës.

“Fusha për përmirësim të mëtejshëm janë identifikuar te menaxhimi jo i mirëfilltë kontratave publike dhe i subvencioneve, pagesa për punë dhe shërbime pa procedura të prokurimit dhe raporte të pranimit, ndryshimet në shuma buxhetore pa aprovimet e duhura, mangësi në procesin e vlerësimit të ofertave gjatë procedurave të prokurimit dhe aplikimi i drejtë i tyre”, thuhet në raport.

ZKA-ja ka gjetur gjithashtu 31 raste të pagesave në vlerë prej 4,382,079 eurosh, ku nuk janë respektuar hapat e përcaktuar për procedimin e tyre.

Janë përmendur edhe parregullsi në menaxhimin e subvencioneve për një kopsht publiko-privat, ndërsa Komuna ka hyrë në obligime kontraktuale pa mbulesë buxhetore në vlerë prej 1,398,964 eurosh.

Përveç kësaj, është lidhur një kontratë e re në vlerë prej 1,200,000 eurosh për shërbime projektimi, edhe pse ekziston një kontratë aktuale për shërbime të ngjashme.

KOHA do të raportojë në ditët në vijim për gjetjet e tjera të raportit të ZKA-së.

E në një konferencë për media të organizuar për një ngjarje sportive, kryetari Përparim Rama, ka refuzuar t’i komentojë gjetjet e ZKA-së.

“Me gjithë respektin, do doja të fokusoheshim në temën që e kemi sot, ne bisedojmë për këtë çështje në një rast tjetër por sot po fokusohemi, nëse keni pyetje, në ndeshjen e madhe që do të mbahet nesër, e që është ndeshje bamirësie”, tha Rama.

Në raportin e ZKA-së thuhet se Komuna e Prishtinës është pajtuar me këto gjetje.

KOHA u ka dërguar pyetje edhe organeve të drejtësisë për këtë çështje, por gjatë ditës nuk ka pranuar përgjigje.

 



Komuna e Prishtinës bëri ndryshime pa aprovim në kontrata që kapnin vlera milionëshe


Zyra Kombëtare e Auditimit ka zbuluar se në dhjetë kontrata të mëdha për punë publike të nënshkruara nga Komuna e Prishtinës janë bërë ndryshime të konsiderueshme në sasitë e punëve të realizuara, pa amendamentuar kontratat dhe pa marrë aprovimet e kërkuara me ligj.

Këto ndërhyrje, sipas ZKA-së, përbëjnë shkelje të drejtpërdrejta të Rregullores për Prokurim Publik.

Në raportin e auditimit për vitin 2024, ZKA-ja thekson se menaxherët e kontratave kanë autorizuar ndryshime në pozicione të kontraktuara në disa raste me rritje deri në 2,745% të sasive pa miratim paraprak nga projektuesit, pa zotim të mjeteve dhe pa marrë aprovim.

“Në kontratën ‘Ndërtimi i rrugës A – pjesa e parë’, në vlerë 8,497,801€, kishte rritje të sasive të realizuara në pesë pozicione të kontratës në vlerë 102,307€, apo deri në 284% rritje të sasive në pozicionet e kontraktuara”, u tha në raport.

E, në kontratën për “Ndërtimin e krahëve të rrugës Muharrem Fejza”, me vlerë 486 mijë euro, është evidentuar një rritje prej 2,745% në disa pozicione.

Gjetje të ngjashme raportohen edhe në kontratat për ndërtimin e rrugëve Prugovc–Lebanë–Barilevë, ndërtimin e tribunës për KF Ramiz Sadiku, si dhe në projektin për rregullimin e varrezave të dëshmorëve në Viti të Marecit, ku sasitë në disa pozicione janë rritur për 694%.

Sipas ZKA-së mungesa e analizave paraprake dhe mosrespektimi i procedurave ligjore rritin rrezikun për manipulime me pozicionet e tenderëve dhe tejkalim të buxhetit të kontratës.

“Këto kishin ndodhur si rezultat i mosfunksionimit të kontrolleve në menaxhimin e kontratave, mosplanifikimit të mirëfilltë të projekteve dhe ndryshimeve në kushtet e terrenit me mendimin për t’i bërë projektet më funksionale”.

Sipas Auditorit, kryetari duhet të forcojë llogaridhënien lidhur me menaxhimin e projekteve kapitale, duke siguruar se për çdo ndryshim në termat dhe kushtet e kontratës, të zbatohen procedurat për marrjen e aprovimeve të duhura sipas rregullave të prokurimit të aplikueshme.

Në përpjekje për të marrë sqarime shtesë, KOHA i ka adresuar pyetje Komunës së Prishtinës lidhur me gjetjet e ZKA-së, për të kuptuar nëse janë ndërmarrë masa disiplinore ndaj zyrtarëve përgjegjës dhe nëse ka plan për përmirësimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm.

Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, Komuna nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet tona.