Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Prishtinës ka nxjerrë në pah një sërë shkeljesh që, sipas ekspertëve të prokurimit publik, paraqesin rrezik për padi e procedura përmbarimore. Gjithashtu theksohet se ndryshimi i pozicioneve në kontrata mund të bëjë që operatorët që nuk e kanë çmimin më të lirë të fitojnë tenderin
Futjen e Komunës së Prishtinës në obligime kontraktuale pa mbulesë të mjaftueshme buxhetore, siç ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditorit, e sheh shqetësuese hulumtuesi në organizatën “Democracy Plus”, Ardit Dragusha. Sipas tij, me këto kontrata komuna e vendos veten në situatë ligjërisht të cenueshme.
“Mund të shkojë deri te procedura përmbarimore, pra operatori ekonomik mund ta dërgojë këtë lëndë te përmbaruesi pasi kërkon përmbushjen e kontratës. Në rast se ka vonesa buxhetore mund të vijë deri te përmbarimi dhe padia”, ka thënë Dragusha, ekspert i prokurimit publik.
Kjo ishte njëra nga gjetjet që ZKA-së i ka shërbyer si bazë për konkluzion, për t’i dhënë Komunës së Prishtinës opinion të kualifikuar, i cili jepet në rastet kur evidentohen shkelje e mospërputhje.
E lidhur me këtë në raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore për vitin 2024 si vërejtje theksohet edhe shuma e shpenzuar e Komunës në procedura përmbarimore.
“Nga mostrat e testuara kemi vërejtur se gjatë vitit 2024 janë realizuar shpenzime në vlerë prej 3.511. 845€ për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Nga kjo shumë 2.437. 372€ janë paguar për borxhin kryesor, ndërsa 1.074.473€ janë shpenzuar për kamata dhe shpenzime përmbarimore”, thuhet në raportin e ZKA-së për Komunën e Prishtinës.
Mirëpo eksperti i prokurimit publik, Ardit Dragusha, vlerëson se gjetje shqetësuese është edhe ndryshimi i pozicioneve në kontrata, që ZKA-ja i ka identifikuar dhjetë sosh.
“Kjo në vete ngërthen edhe një problematikë tjetër që ngre njëfarë dyshimi për manipulim pasi operatorët ekonomikë kur është puna tek ofertimi, vendosin çmime të caktuara në pozicione të caktuara, kjo lë hapësirë dyshimi se ka operatorë ekonomikë të cilët e dinë se cilat pozicione do të rriten e cilat do të ulen dhe këtu bëhet manipulimi me çmime në mënyrë që të dalë oferta më e mirë”, ka thënë Dragusha.
ZKA-ja, në raportin që e ka siguruar KOHA, ka gjetur raste kur Komuna ka nënshkruar kontrata për projekte, pa marrë lejet e nevojshme. Sipas Dragushës, kjo është praktikë e mbrapshtë dhe e kundërligjshme.
“Ishin dy apo tri raste ku Komuna e Prishtinës ka iniciuar procedura të prokurimit publik, pastaj ka vazhduar me gjithë procesin e vlerësimit të ofertave, pastaj është dhënë kontrata publike e tek atëherë është marrë leja për fillimin e punëve. Leja për ndërtim duhet të merret paraprakisht, pra kjo është e para në vargun e procedurave, pastaj bëhet inicimi i procedurës së prokurimit dhe në fund nënshkrimi i kontratës”, ka sqaruar ai.
Në raport theksohet se Komuna është pajtuar me gjetjet e auditorit.
KOHA i ka adresuar pyetje Komunës së Prishtinës lidhur me gjetjet e ZKA-së për të kuptuar nëse janë ndërmarrë masa disiplinore ndaj zyrtarëve përgjegjës dhe nëse ka plan për përmirësimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm. Mirëpo, që nga e marta nuk ka marrë përgjigje.