Arbëri

Komuna pagoi zyrtarin që ishte transferuar në një tjetër institucion për 2 muaj nga 1,452€

Perparim Rama

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur se në Komunën e Prishtinës ka mungesë të dëshmive për vijueshmërinë e zyrtarëve në punë, pagesa për punë jashtë orari pa dëshmi se zyrtari ka kryer punë jashtë orarit si dhe pagesa për zyrtarë që nuk kanë vijuar punën për muaj të tërë. 

Në Raportin për Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin 2024, thuhet se nga mostrat e testuara gjatë auditimit për pagat dhe shtesat është evidentuar se në gjashtë raste nuk ishte e mundur të siguroheshin dëshmi për vijueshmërinë e zyrtarëve në punë.

Po ashtu thuhet se në katër (4) raste të kompensimeve për punë jashtë orarit, nuk ka pasur dëshmi për vijueshmërinë që vërteton kryerjen e punës jashtë orarit. 

Në një nga këto raste, theksohet se është identifikuar një zyrtar që nuk ka figuruar fare në sistemin e hyrje/daljeve për muajin shtator 2024, ndërkohë që kishte një vendim për transfer tek një organizatë tjetër buxhetore të datës 01.09.2024.

Pavarësisht kësaj, ai thuhet se ka pranuar pagë të plotë për muajt shtator dhe tetor në vlerë 1,452€.

Në raport theksohet se sipas zyrtarëve të personelit, lënda për përpunim kishte arritur në zyrën për paga në nëntor 2024, pra me vonesë për dy muaj.

Këto thuhet se kishin ndodhur pasi që Komuna nuk ka siguruar zbatim të plotë të sistemit të regjistrimit të vijueshmërisë për të gjithë zyrtarët publikë. Kjo mangësi thuhet se vërehet kryesisht në nivelin e stafit drejtues dhe menaxherial. 

Për më tepër, theksohet se, janë të dobëta kontrollet e brendshme lidhur me komunikimin dhe përpunimin në kohë të ndryshimeve në sistemin e pagave, si dhe mungon verifikimi sistematik i dokumentacionit mbështetës për pagesat shtesë.

Mungesa e regjistrimit të vijueshmërisë në sistemin elektronik apo evidencave alternative thuhet se krijon rrezik që pagat të procesohen pa mbulesë faktike të punës. Po ashtu, theksohet se pagesat për punë jashtë orarit pa dokumentacion mbështetës ndikojnë negativisht në efikasitetin financiar, llogaridhënien dhe besueshmërinë e sistemit të menaxhimit të personelit dhe fondeve publike.

Auditorit ka rekomanduar që kryetari Përparim Rama të sigurojë funksionalizimin e plotë të regjistrimit elektronik të vijueshmërisë për të gjithë zyrtarët, pa përjashtime, dhe të ndërmerren masa për verifikim të rregullt dhe të pavarur të evidencave të pranisë në punë. 

Po ashtu, thuhet se duhet të forcohen kontrollet e brendshme në departamentin e pagave, në mënyrë që çdo ndryshim në statusin e zyrtarëve të reflektohet në kohë reale, dhe pagat të procesohen vetëm për periudhën kur ekziston angazhim i ligjshëm dhe dokumentuar. 

Gjithashtu thuhet se në rastet kur janë bërë pagesa të pajustifikuara, duhet të vendoset mënyra konkrete e kthimit të tyre në buxhetin e Komunës.

Evidentimi i vijueshmërisë në punë përcaktohet në Rregullores për orarin e punës, ku përcaktohet që “zyrtari publik është i obliguar që të regjistrohet në regjistrin elektronik të vijueshmërisë ... kur nuk është e mundur për arsye teknike, vijueshmëria në punë e zyrtarit publik bëhet përmes regjistrimit në librat evidentues”.

Në raport thuhet se Komuna e Prishtinës është pajtuar me këtë gjetje. 

KOHA ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës për gjetjet e raportit dhe posa të marrë përgjigje teksti do të përditësohet.

Lexo përditësimet tjera
Perparim Rama komuna

Shkeljet milionëshe që Auditori i gjeti në Komunën e Prishtinës

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur dhjetëra shkelje të kryera nga Komuna e Prishtinës në vitin...