Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka kërkuar që Prokuroria të nisë hetime lidhur me gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Prishtinës. Nëpërmjet një konference për media, asamblistë të LVV-së kanë thënë se raporti i ZKA-së është dëshmi e menaxhimit joadekuat dhe të jashtëligjshëm me buxhetin e kryeqytetit
Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për Komunën e Prishtinës ka nxitur reagimin e Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Kuvendin Komunal në kryeqytet.
Violeta Salihu, asambliste e LVV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka theksuar se gjetjet e raportit të ZKA-së, e në të cilin janë evidentuar shkelje milionëshe të Komunës së Prishtinës, përbëjnë dëshmi se qeverisja në këtë komunë është skandaloze.
“17 milionë euro të keqpërdorura, ky do të duhej të ishte titulli i prezantimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit me të gjetura mjaft shqetësuese gjatë keqmenaxhimit të Komunës së Prishtinës në vitin 2024. Ky raport nuk është vetëm pasqyrë e shifrave dhe e shkeljeve teknike. Është një aktakuzë morale dhe institucionale të një qeverisjeje që ka degraduar standardet minimale të përgjegjësisë publike”, ka theksuar ajo.
E asamblistja tjetër e LVV-së, Triera Kasumi-Berisha, ka thënë se raporti i ZKA-së është dëshmi e menaxhimit joadekuat dhe të jashtëligjshëm të buxhetit në kryeqytet.
Ajo u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të ndërmarrin hetime bazuar në gjetjet e raportit të auditorit.
“Deri në fund të vitit, komuna ka arritur të shpenzojë vetëm 56 milionë euro. Nga kjo vlerë, vetëm në muajin dhjetor janë realizuar pagesa në vlerë afro 29 milionë euro. Kjo paraqet fryrje të qëllimshme të investimeve kapitale për t’u dukur të suksesshëm si qeverisje, por fakti që pagesat janë bërë në dhjetor, kur LDK-ja ka qenë fuqishëm e angazhuar në fushatën zgjedhore, për ne tregon shumë”, ka thënë Kasumi-Berisha.
KOHA ka raportuar në vazhdimësi gjatë javës për shkeljet e Komunës së Prishtinës të evidentuara në raportin e ZKA-së.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka zbuluar se në dhjetë kontrata të mëdha për punë publike, të nënshkruara nga Komuna e Prishtinës, janë bërë ndryshime të konsiderueshme në sasitë e punëve të realizuara, pa amendamentuar kontratat dhe pa marrë aprovimet e kërkuara me ligj. Po ashtu, sipas gjetjeve të këtij raporti, Komuna e Prishtinës ka ndarë mbi 5 milionë euro në kundërshtim me ligjin dhe ka hyrë në obligime kontraktuale milionëshe pa mbulesë të mjaftueshme buxhetore.
Në raportin e ZKA-së thuhet se Komuna e Prishtinës është pajtuar me këto gjetje, porse derisa KOHA pati raportuar, në Komunë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të saj.