Në rigjykimin për rastin “53-milionëshi” të hënën ka dëshmuar ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku. Në këtë proces gjyqësor katër të akuzuarit, Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri si dhe Besim Tahiri, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje. Dëshmitari tha se nuk ka pasur asnjëherë neglizhencë në realizimin e pagesave lidhur me operatorin ekonomik “Bechtel & Enka”.
Ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ka dëshmuar të hënën lidhur me 53 milionë eurot që Qeveria ia pagoi konsorciumit “Bechtel & Enka” për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit.
Për këtë Prokuroria Speciale i akuzon katër të pandehurit: Pal Lekajn në cilësinë e ministrit të Infrastrukturës, si dhe Eset Berishën në cilësinë e këshilltarit të lartë politik, Nebih Shatrin si sekretar i përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahirin si drejtor i Prokurimit Publik në MI, për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje”.
Zharku në këtë proces gjyqësor kishte dhënë dëshminë edhe në vitin 2023, por kësaj radhe ishte ftuar për të dhënë sqarime shtesë.
I pyetur nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, nëse kishte neglizhencë në realizimin e pagesave ndaj punëkryerësit, dëshmitari Zharku e mohoi këtë.
“A ka pasur në njëfarë mënyre neglizhencë të pagesave nga ana e mandatit tuaj dhe a ka ndikuar e njëjta në zgjatjen e afatit të punimeve”?, ka pyetur Nimani-Hajra.
“Kurrë domethënë kurrë nuk ka pasur asnjëherë nuk ka pasur neglizhenca edhe ashtu siç e kam cek Bechteli ka punuar aq sa ka pasur buxhet të ndarë. Nuk ka asnjë rast që Bechteli ka bërë kërkesë për një pagesë, për punët që i ka kryer. Të gjitha janë të evidentuara në raportet financiare të Qeverisë”, është përgjigjur Zharku.
Zharku tha se edhe gjatë mandatit të tij si ministër ka pasur kërkesë nga operatori ekonomik “Betchel Enka” për mjete shtesë për rreth 25-26 milionë euro, por shtoi se buxheti i ndarë për një projekt nuk mund të ndahet për ndonjë projekt tjetër.
“Jo nuk ka pasur mundësi kurrë, as mundësi ligjore nuk kemi. As mundësi ligjore nuk kemi për me pasë, përpos që ne kemi bërë alokime të reja për me krye sa ma shumë”, ka thënë ai.
I pyetur nëse kishte të drejtë Komiteti Ndërministror të tejkalonte opinionet dhe mendimet e mbikëqyrësit të punimeve që në rastin konkret ishte “Hill Internacional”, dëshmitari u përgjigj duke thënë se nuk i kishin këto të drejta ligjore.
“Në aspektin e menaxherit nuk është dashtë, në aspektin e një drejtuesi të Ministrisë. As Komiteti Ndërministror, as Ministri, askush nuk ka të drejtë me ndalu kompaninë mbikëqyrëse”, është përgjigjur Zharku.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar 2024 i shpalli fajtorë dhe i dënoi me 10 vjet e 3 muaj burgim së bashku: Pal Lekajn, Eset Berishën, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin, për rastin e njohur si “53-milionëshi”.
Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj katër të akuzuarve.