Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është dënuar me tri vjet e tetë muaj burgim në rastin e njohur si “53 milionëshi”.
Pos Lekajt, Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me burgim edhe ish-këshilltarin e Lekajt, Eset Berishën, ish-sekretarin e Ministrisë, Nebih Shatrin dhe ish-drejtorin e Prokurimit Publik, Besim Tahirin.
Berisha u dënua me tre vjet e tre muaj burgim, ndërsa Tahiri dhe Shatri u dënuan me nga 1 vit e 8 muaj. Të gjithë u dënuan edhe për ndalim të ushtrimit të funksioneve në administratë publike prej 3 vjet e gjysmë për Lekajn, 3 vjet për Berishën dhe nga 2 për dy të tjerët.
Lekaj dhe të tjerët janë dënuar për keqpërdorim detyre në rastin e 53 milionë eurove të ndara për kompaninë “Bechtel & Enca”, e cila i ka realizuar punimet e autostradës Prishtinë–Han i Elezit. Sipas akuzës, ata kanë injoruar opinionin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International”, që pati konstatuar se duhen paguar vetëm 14 milionë euro si dëmshpërblim kompanisë punëkryerëse për mosalokim të buxhetit konform dinamikës që parashihej në kontratën bazë për kryerje të punëve.
Për këtë rast, të katër ishin dënuar me burgim prej 10 vjet e tre muaj së bashku edhe më 31 janar 2024, por Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim. Dënimi tani është në shkallën e njëjtë.
Kompania “Hill International” qe kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës, me një kosto prej 8.7 milionë eurosh, për të mbikëqyrur si konsulent ligjor, financiar dhe teknik realizmin e projektit të autostradës “Arbën Xhaferri” dhe se më herët asnjë pagesë nuk është kryer pa u certifikuar nga “Hilli”.
Vite me parë KOHA pati siguruar një raport të kompanisë “Hill”, e cila ishte e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës për mbikëqyrjen e ndërtimit të kësaj autostrade. Sipas dokumentit, detyrimi monetar në raport me “Bechtel-Enkan” ishte 14 milionë euro. Por, Lekaj nuk e kishte prezantuar zyrtarisht në Qeveri këtë raport e në mungesë të tij Ekzekutivi e kishte aprovuar pagesën prej 53 milionë eurosh shtesë për kompaninë që e ka ndërtuar autostradën.
Edhe
Xhelal Sveçla dënohet me burgim me kusht për gazin lotsjellës në Kuvend
Pas raportimit të KOHËS, hetimet mbi rastin u intensifikuan dhe në shkurt të 2022-tës Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë.
Autostrada Prishtinë-Han i Elezit, që e bart emrin “Arbën Xhaferi”, ka gjatësi prej 55 kilometrash dhe ndërtimi i saj i ka kushtuar buxhetit të Kosovës rreth 600 milionë euro.
Lekaj ka qenë ministër në periudhën 2017-2020.