Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Vulin bën thirrje për likuidim të liderëve të Kosovës, reagon Sveçla

Aleksander Vulin

Foto: Associated Press

Serbia duhet të infiltrojë agjentët e saj në Kosovë dhe të veprojë ndaj politikanëve shqiptarë, njësojë si Mossadi në Iran, ka thënë ish-zv.kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin. Ai ka ftuar BIA-n që të bëjë plan të qartë dhe të veprojë me politikanët në Kosovë, duke iu referuar likuidimit të udhëheqësve në Iran. Në reagim, Qeveria e Kosovës ka ftuar faktorin ndërkombëtar që të ketë në vëmendje këto deklarata kërcënuese

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar të ketë vëmendjen e plotë te deklaratat kërcënuese të ish-zv.kryeministrit të Serbisë dhe ish-drejtorit të Shërbimit Inteligjent të këtij vendi, Aleksandar Vulin, ndaj Kosovës dhe liderëve të saj.

Në një intervistë, Vulini ftoi shërbimet serbe që të hartojnë një plan, duke u bazuar në atë të Mossadit të Izraelit që ka eliminuar figura të rëndësishme në Iran dhe më gjerë duke infiltruar agjentët e vet në këto vende.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas Vulinit, këtë duhet ta bëjnë edhe shërbimet serbe në Kosovë, duke ndjekur liderët, që, siç ka thënë, kanë politikë antiserbe.

“Shteti serb duhet të veprojë! Pas kësaj do t’u kërkoja shërbimeve tona të hartonin një plan të qartë. Si do t’i trajtojmë individët me emër dhe mbiemër, të cilët janë bartës të politikës antiserbe. Pastaj ata le të mendojnë se çfarë do t’ju ndodhë. Nëse Izraeli mundet, Mossadi mundet, pse nuk mundet shërbimi serb. E kemi bërë këtë edhe më parë. Ne e dimë se si bëhen këto punë. Neve askush nuk na ka frikën. Kurti nuk e ka problem që të aktrojë ndonjë marrëveshje dhe nuk e ka frikën që do të ketë pasoja për këtë, që do t’i ndodhë diçka, e as njerëzit e tij”, ka deklaruar Vulin. 

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në reagimin e tij të mërkurën, ka thënë se ky është kërcënim i hapur ndaj Kosovës dhe liderëve të saj. Ai ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare që të jetë syçelë.

“Kjo deklaratë përbën një precedent të rrezikshëm dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Republikës së Kosovës dhe kryeministrit të saj, z. Albin Kurti. Përveç lidhjeve të dokumentuara me Rusinë, Vulin njihet gjerësisht si zë artikulues i qëndrimeve të presidentit Aleksandar Vuçiq. Institucionet e Republikës së Kosovës, në nivel të lartë profesionalizmi, po e përmbushin mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor. Ato janë të gatshme të përballen me çdo lloj kërcënimi në mënyrë profesionale dhe në përputhje me ligjin. Sveçla tha se imponimi i një analogjie nga një konflikt me luftë të hapur, kërcënime të armatosura dhe operacione të shpallura kundër aktorëve të konsideruar armiq, dhe t’i aplikosh ato në raport me kryeministrin e Kosovës, “nënkupton normalizimin e logjikës së operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi të drejtpërdrejtë në Ballkan”, ka thënë ministri Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme theksoi më tej të mërkurën se Vulin e përdori një “precedent të rrezikshëm” kur tha se inteligjenca serbe “di si ta bëjë këtë, sepse e kemi bërë më parë”.
Sveçla  shtoi se “historia jonë e afërt dëshmon se strukturat e inteligjencës serbe kanë qenë të përfshira në vrasjen e veprimtarëve të shquar politikë shqiptarë, si Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka”, të cilët ishin vrarë më 1982 në Gjermani.

Ministri Sveçla tregoi gjithashtu se në mes të muajit të kaluar, autoritetet kosovare i arrestuan dy shtetas bjellorusë dhe një shtetas rus, të cilët, sipas tij, ishin futur në Kosovë jashtëligjshëm të kamufluar, pasi kishin qëndruar në Serbi paraprakisht.

Vulin është i njohur për qëndrimet antishqiptare dhe anti-Kosovë. Për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë dhe përfshirjes në krim e korrupsion, SHBA-ja e ka futur në listë të zezë vite më parë.
Aktualisht nuk ka ndonjë post publik në Serbi, por deri vonë ishte ministër i Brendshëm, zv.kryeministër dhe drejtor i Shërbimit serb - BIA.

Kosova dhe Serbia vazhdojnë të kenë marrëdhënie shumë të tensionuara, posaçërisht nga viti 2023, kur një grup serbësh të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në një fshat të Zveçanit në veri të vendit, duke lënë një rreshter të vrarë.

Vendi u trondit edhe nga një shpërthim një vit më vonë, kur kanali jetik i ujit, Ibër-Lepenci, u dëmtua rëndë në veri.

Kosova e ka fajësuar Serbinë për të dyja incidentet, por shteti serb ka mohuar të ketë pasur gisht në to.