Sipas Prokurorisë Speciale, 10 persona janë arrestuar për sulmin sabotues-terrorist në kanalin e “Ibër-Lepencit”. Por aktualisht vetëm një i dyshuar është në paraburgim prej 30 ditësh e një tjetër në mbajtje 48-orëshe. Të tjerët janë të lirë
Vetëm 2 nga 10 personat e arrestuar nga policia nën dyshimin për përfshirje në sulmin terrorist ndaj kanalit të “Ibër Lepencit” janë nën masa të sigurisë.
Sipas Prokurorisë Speciale, arrestimet u kryen për vepra të ndryshme penale.
“Me këtë rast në stacionin policor janë shoqëruar 10 persona të dyshuar për veprat penale: ‘Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike’, nga neni 122 lidhur me veprën penale ‘Kryerja e veprës terroriste’, nga neni 129 par. 1 dhe neni 128 par 1, nënpar. 1.8 të KPRK-së, ‘Mbajtja në pronësi kontrolle ose posedim të paautorizuar të armëve’ nga neni 366, par 2 lidhur me par. 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të hënën.
I fundit nga ky grup është arrestuar të dielën mbrëma dhe është dërguar në mbajtje 48-orëshe me urdhër të Prokurorisë.
“Në vazhdimësi të hetimeve lidhur me rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike, por edhe rasteve paraprake, nga njësitë relevante hetimore, në bashkëpunim edhe me njësitë e tjera policore, më datën 1.12.2024 në orët e mbrëmjes, është arrestuar edhe një i dyshuar (J.V.), nën dyshimin që mund të ketë pasur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas Policisë, personit të ndaluar me inicialet J.V. ndër të tjera i janë gjetur katër granata dore, një pushkë gjuetie, një radiolidhje dhe një uniformë ushtarake.
Aktualisht vetëm të dyshuarit D.V. i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Avokati i tij, Millosh Deleviq, pas caktimit të masës së paraburgimit, ka thënë se klienti i tij është i pafajshëm.
“Dragisha Viçentijeviqit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Ai është i dyshuar se ka kryer vepra të rënda kriminale, saktësisht se ka dëmtuar kanalin e ‘Ibër Lepencit’. Megjithatë pse iu kanë gjetur çizmet e lagështa e me baltë nuk mund jenë prova të mjaftueshme se ka kryer vepër të rëndë kriminale. Ai ka qenë në një vend krejt tjetër në atë kohë. Ai vend ka qenë me plot dëshmitarë dhe unë besoj se gjatë hetimit do të dëshmojmë pafajësinë e tij”, ka thënë Deleviq.
Teksa për të arrestuarin D.M. prokuroria nuk i ka kërkuar gjykatës të caktojë masën e paraburgimit në seancën e mbajtur për të dielën.
“Duke pasur parasysh se Prokuroria Speciale deri më tani nuk ka kërkuar që të caktohet masa e paraburgimit gjyqësor për Dushan Milanoviqin nga Leposaviqi, kjo jep njëlloj shprese se një kërkesë e tillë as nuk do të bëhet. Meqë ai u arrestua dje në orën 9 të mëngjesit, ndalimi i tij deri në 48 orë, siç përcaktohet nga policia, skadon nesër në orën 9 të mëngjesit. Pres që specialistët e Policisë së Kosovës ta mbajnë premtimin se do të kryejnë sa më parë veprimet e nevojshme mjeko-ligjore për të vërtetuar të vërtetën, gjegjësisht se Dushani nuk ka asnjë lidhje me grupin ‘Korridorët’ në rrjetin Telegram dhe pres që nesër të lirohet. Shpresoj që të jetë kështu”, ka thënë avokati Dejan Vasiq të dielën.
Të arrestuarit e tjerë janë të lirë. Ministria e Punëve të Brendshme e as Prokuroria Speciale nuk kanë dhënë informata për ecurinë e procesit ndaj tyre.
Pas sulmit të 29 nëntorit ndaj kanalit të “Ibër Lepencit”, përmes të cilit furnizohen me ujë disa qytete dhe termocentrali “Kosova B”, policia kreu bastisje në 10 lokacione në veri, duke konfiskuar numër të madh të armëve, municioneve dhe pajisjeve të tjera ushtarake.
Pas aksionit ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se janë arrestuar tetë persona, përfshirë edhe për sulmin ndaj objektit të Komunës së Zveçanit ditë më parë.