Arbëri

Gati një vit nga sulmi në Ibër Lepenc, por pa aktakuzë

Për sulmin mbi infrastrukturën kritike të shtetit, janë arrestuar dy persona, Dragisha dhe Jovan Viçentijeviq dhe ata po mbahen në paraburgim që nga fillimi i dhjetorit të vitit të kaluar. Të dyshuarve, dy ditë pas sulmit, gjatë bastisjeve e kontrolleve në veri, Policia u ka sekuestruar armë e pajisje të tjera ushtarake në shtëpi. Në Prokurorinë Speciale, kanë thënë se janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore

Gati një vit pas sulmit terrorist mbi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, ende nuk është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale.
Për sulmin në fshatin Varagë të Zubin-Potokut, janë arrestuar dy persona, Dragisha dhe Jovan Viçentijeviq dhe ata po mbahen në paraburgim që nga fillimi i dhjetorit të vitit të kaluar.

Të dyshuarve, dy ditë pas sulmit, gjatë bastisjeve e kontrolleve në veri, Policia u ka sekuestruar armë e pajisje të tjera ushtarake në shtëpi.

Në Prokurorinë Speciale, kanë thënë se janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore.

“Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, ju njoftojmë se Prokuroria Speciale ka ndërmarrë dhe është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të konstatimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Megjithatë, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor, në këtë fazë nuk mund të ofrojmë më shumë informacione”, ka thënë Arbnora Luta, zëdhënëse në Prokurorinë Speciale.

Ndërkohë, avokati Valdet Hoxha, ka arsyetuar mungesën e aktakuzës me ndjeshmërinë e rastit.

“Ky është një rast kompleks dhe duhet një hetim kompleks, një hetim gjithëpërfshirës dhe një koordinim dhe një bashkëpunim edhe me mekanizmat të tjerë të sigurisë, ekspertiza të ndryshme, qofshin ato brenda vendit apo me mekanizma partnere , vërtetimin e plotë dhe të saktë të gjendjes faktike”, ka thënë Hoxha.

Sipas kërkesës së Prokurorisë për masën e paraburgimit, i dyshuari Jovan Viqentijeviq në bashkëkryerje me të dyshuarin Dragisha Viqentijevq, të cilin e ka vëlla, qëllimisht kanë dëmtuar pajisjet publike të ujësjellësit dhe kanë kryer veprën penale terroriste duke përdorur eksploziv dhe mjete eksplozive drejtpërdrejt në pjesën e kanalit.

Pas sulmit të 29 nëntorit ndaj kanalit të Ibër Lepencit, përmes të cilit furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit i gjithë veriu i Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës, policia kreu bastisje në 10 lokacione në veri, duke konfiskuar numër të madh të armëve, municioneve dhe pajisjeve të tjera ushtarake.

Për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, aktakuza ishte ngritur pas një viti. Në këtë rast, të akuzuar janë 45 persona, në krye me Milan Radoiçiqin.