Puna dy-vjeçare e Qeverisë Kurti, do të diskutohet të enjten në seancën e rregullt të Kuvendit. Përveç caktimit të kësaj seance, Kryesia e Kuvendit vendosi që javën e ardhshme të diskutohen pikat e mbetura nga seancat e kaluara. E, për mosshqyrtimin të gjithave pikave dhe mospërmbushjen e agjendës legjislative, opozita ka kritikuar partinë në pushtet. Në Lëvizjen Vetëvendosje e kanë vlerësuar efikase punën e Kuvendit
Me kërkesë të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të enjten, ligjvënësit do të diskutojnë për punën dy-vjeçare të Qeverisë Kurti.
Vendimi u mor në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, të hënën.
Gjendja sociale dhe diplomacia do të jenë pikat kyçe të këtij diskutimit, sipas shefit të deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri.
“Ne si Aleancë kemi rekomanduar disa pika të cilat lidhen me rrafshin e brendshëm në Kosovë, e po ashtu edhe dështimin. Sot të gjitha çmimet secili artikull i konsumit të shqiptarëve të Kosovës, është rritur e Qeveria vazhdon tash e dy vjet, të diskutojë, të trajtojë, përpilimin e strategjive, planeve e rregulloreve, dhe tash jemi në vitin e tretë pa asgjë konkrete”, tha Tahiri.
E të mërkurën e ardhshme, deputetët do t’i diskutojnë pikat e mbetura nga seancat e kaluara. Me gjithë ngecjen në shqyrtimin e shumë pikave në seanca, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, e kualifikoi efikase punën e Kuvendit.
“Kuvendi megjithatë, po vazhdon me efikasitet. Kuptohet që plani është ambicioz legjislativ, ka vështirësi në raste të caktuara me pjesëmarrje kuorum, por le të themi se ka një lloj linje të efikasiteti, nga seanca në seancë për të miratuar projektligje që presin. Ka shumë hapësirë për t'u përmirësuar e për të shtuar produktivitetin”, tha Rrustemi.
Përgjegjësinë për mosshqyrtimin e të gjitha pikave dhe mospërmbushjen e planit legjislativ, nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ia atribuoi partisë në pushtet.
“Mendoj që është më se e qartë në Kuvendin e Kosovës, që në këtë histori të jetë parlamentare në këto 20 vjetët e fundit, nuk kemi pasë asnjëherë një shumicë, e cila është shumicë absolute dërrmuese, sikur shumica që është aktualisht në Kuvendin e Kosovës. Natyrisht i takon shumicës që ta udhëheqë, i takon shumicës që t'i ketë të pranishëm në seancë e t'i miratojnë ligjet, të cilat ligje duhet t'i miratojnë politikat, në bazë të së cilës i kanë fituar zgjedhjet”, tha Hoxhaj.
Pas mbledhjes së Kryesisë, Hoxhaj foli edhe për fillimin e gjykimit të ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë. Ai u shpreh i bindur në pafajësinë e tyre.