Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancën e radhës plenare të enjten, ku do të diskutohet për dy vjetët e Qeverisë Kurti.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se do të propozojnë një rezolutë me disa pika ndaj ekzekutivit për vendimmarrje më të madhe për t'iu ndihmuar qytetarëve.
Ai adresoi një sërë kritikash ndaj pushtetit, duke e quajtur si të dështuar.
“Ne i kemi propozuar disa pika që lidhen me gjendjen e rëndë në rrafshin e brendshëm dhe disa probleme në rrafshin ndërkombëtarë. Janë rritur çmimet e të gjithë artikujve, e qeveria vazhdon të përpilojë strategji e hartojë plane e ende asgjë nuk ka filluar. A mundeni me besu që jemi në vitin e tretë e paga minimale vazhdon të jetë e njëjta”, ka thënë ai.
Deputeti i PDK-së Enver Hoxhaj ka thënë se sot është një ditë plot dhimbje, meqë ka filluar procesi në Hagë.
Ai ka thënë se kjo është një fazë e padrejtë, por ka shtuar se e gjithë kjo do të përmbyllet me një drejtësi të re.
Hoxhaj ka thënë se të gjithë krerët e UÇK-së janë heronj të vendit.
“Marshi i djeshëm ka qenë një marsh drejtë historisë, ku treguam për sfidat që është ballafaquar populli shqiptarë. Historia e Kosovës është histori e lavdishme, e padyshim kjo histori nuk mund të rishkruhet tani në vitin 2023”, ka thënë ai.
Derisa ka folur për zgjedhjet në Mal të Zi, ka thënë se zgjedhjet e djeshme ishin fundi i një epoke dhe fundi i një bashkëpunimi që Kosova pasur me ish-presidentin, Milo Gjukanoviq.
“Unë shpresoj që edhe pasardhësi i tij do të vazhdojë me të njëjtën tempo”, ka thënë ai.