Çështjet që nuk u shqyrtuan e nuk u miratuan që nga fillimi i sesionit vjeshtor do të tentohet që të përmbyllen të enjten nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Derisa kanë mbetur edhe katër muaj deri në zgjedhjet e përgjithshme, deputetë në opozitë e ata në pushtet kanë vërejtur vështirësi në funksionimin e legjislativit. Nga opozita kanë fajësuar pushtetin për moskalim të pikave të rendit të ditës e për humbje të shumicës
Periudhë e vështirë e pret legjislativin në muajt e fundit para zgjedhjeve të përgjithshme, kanë vlerësuar përfaqësues të partive politike në Kuvend.
Pas mbledhjes së Kryesisë, të hënën, ku për të enjten u caktua mbajtja e seancës së radhës, opozitarët ia lanë pushtetit fajin për mosshqyrtim e mosmiratim të pikave në rend të ditës.
“Fatkeqësisht duket se do të jetë vështirë që do të kalohen dhe këto projektligje, sepse tashmë duket se ka një shthurje goxha të madhe brenda Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje sa iu përket numrave dhe shumicës së tyre në Kuvendin e Kosovës”, tha shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
“Po shkojmë drejt fundit të legjislaturës dhe si duket problemet e kësaj legjislature dhe të kësaj shumice parlamentare vazhdojnë. Do të jetë e vështirë që të miratohen ligje gjatë kësaj legjislature, por gjithsesi ne si parti opozitare jemi në funksion të interesit të qytetarëve dhe mbrojtjes së interesit së qytetarëve”, tha shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
“Po shihet se kjo mazhorancë veç e ka humbur shumicën parlamentare në Kuvendin e Kosovës...Po kërkohet ndihma e opozitës, sidomos për marrëveshjet ndërkombëtare, ndërsa këta nuk janë në gjendje të sigurojnë as shumicën e thjeshtë me të cilën janë mburrur”, tha deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.
Por shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari -Lila, mohoi se pushteti ka humbur shumicën.
Edhe
Në dy seancat e kësaj jave, sipas opozitës, do të testohet legjitimiteti i shumicës parlamentare
Megjithëkëtë, pranoi se mbetet sfidë prania e deputetëve e pjesëmarrja e tyre në votime.
“Ne zakonisht kur kemi pasur mungesë të kuorumit, kjo ka ardhur për shkak të mospjesëmarrjes në votim për çështje të caktuara të deputetëve që kanë qenë në sallë apo për mungesën fizike. Nuk parashohim diçka më dramatike javët në vijim, unë uroj që në nivelin e njëjtë të hyjmë në një periudhë më dinamike para përmbylljes së sesionit vjeshtor”, tha Kusari-Lila.
Që nga fillimi i sesionit vjeshtor, Kuvendi ka mbajtur vetëm dy seanca dhe ato janë ndërprerë në mungesë të kourumit.
-
Të enjten vazhdimi i seancës, pushtet e opozitë skeptikë se mund të kalohen projektligjet
-
Fushata e transferimet e deputetëve pritet ta bllokojnë edhe më shumë punën e Kuvendit
-
Kuvendi i kthehet punës, opozitarët kritikojnë pushtetin për keqqeverisje
-
Shpërndarja e Kuvendit në duar të opozitës së ndarë, të premten debat për qeverisjen e Kurtit