LAJMET E MBRËMJES

Studentët kërkojnë nga Rektorati që vlerësimi e rivlerësimi të bëhen në të gjitha njësitë

Dhjetëra studentë u mblodhën në shenjë proteste para objektit të Rektoratit për të kërkuar vlerësim të barabartë në të gjitha fakultetet dhe njësitë e Universitetit të Prishtinës.

Përfaqësues të Parlamentit Studentor përmes një konference për media thanë se Rektorati përmes një rregulloreje për vlerësim ka trajtuar në mënyrë të pabarabartë studentët.

Drilona Hamiti, kryetare e Parlamentit Studentor, tha se procesi i vlerësimit dhe rivlerësimit gjatë afatit të nëntorit u është lejuar vetëm Fakultetit të Mjekësisë dhe atij të Bujqësisë dhe Veterinarisë.

“Në Universitetin e Prishtinës po funksionon një standard i dyfishtë. Në disa njësi akademike u mundësohet studentëve rivlerësimi gjatë afatit të nëntorit, ndërsa në disa të tjera kjo e drejtë mohohet. Dua të theksoj se kjo nuk lidhet me lëndët shumë semestrale, por me të gjitha lëndët, përfshirë edhe ato një semestrale, dhe kjo praktikë po zbatohet në mënyrë të pabarabartë nga fakultete të ndryshme. Kjo situatë krijon një padrejtësi të qartë: një student i një fakulteti gëzon të drejta që studentit të një fakulteti tjetër i mohohen”, tha Hamiti.

Edhe Flon Kastrati, student i vitit të tretë në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, tha se rregullorja i diskriminon studentët e fakulteteve të tjera.

“Nuk na kanë lejuar. Kemi bërë kërkesë për me na leju, por megjithëse kërkesën një gjë e tillë nuk na është mundësuar. Kemi marrë një iniciativë me mbledh disa nënshkrime përmes një peticioni, të cilin pastaj kemi me e dërgu në Rektorat dhe do të presim vendimin ditën e hënë”, deklaroi Kastrati.

Kryetarja e Parlamentit Studentor njoftoi se tash e tri javë janë duke kërkuar nga Rektorati zgjidhje për këtë çështje, por deri tash nuk kanë pasur sukses.

Hamiti paralajmëroi ndërmarrjen e masave të tjera nëse nuk arrihet një marrëveshje javën e ardhshme.

“Një universitet që nuk garanton kushte të barabarta të vlerësimit cenon cilësinë e tij akademike, besimin e studentëve, motivimin e tyre dhe integritetin e vet institucional... Të hënën na pret takimi i radhës, ku presim që përmes dialogut dhe bashkëpunimit të arrijmë një zgjidhje të drejtë, të barabartë dhe të qëndrueshme për të gjithë studentët e UP-së... Por nëse nuk krijohet hapësirë për dialog real, atëherë me shumë keqardhje ju njoftojmë se nga java e ardhshme do të jemi të detyruar të vazhdojmë me format tona demokratike të reagimit, përfshirë edhe protesta”, u shpreh Hamiti.

Në Rektorat nuk janë përgjigjur gjatë ditës në pyetjet lidhur me kërkesat e studentëve dhe se çfarë zgjidhjeje pritet të gjendet.