Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Studentët e vitit të parë kërkojnë t’u lejohen provimet në afatet e prillit dhe të nëntorit

Protesta student

Studentët e vitit të parë në Universitetin e Prishtinës kanë protestuar të hënën para Rektoratit, duke kërkuar përfshirjen e tyre në afatet e prillit dhe të nëntorit, të cilat aktualisht vlejnë vetëm për ata të vitit të dytë dhe të tretë. E nga Rektorati kanë thënë se nga viti i ardhshëm akademik, këto dy afate nuk do të vlejnë as për studentët e vitit të dytë

Studentët e vitit të parë në Universitetin e Prishtinës, të hënën kanë protestuar me kërkesën që të lejohen të futen në afatet e prillit dhe të nëntorit.

Parlamenti Studentor dhe organizata të tjera studentore kërkuan para Rektoratit që të gjithë studentët të trajtohen barabartë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Flon Kastrati nga Parlamenti Studentor tha se i janë drejtuar me kërkesë Senatit, që tranzicioni për afatet e rivlerësimit të zbatohet edhe për studentët e vitit të parë, gjë që, sipas tij, u miratua nga ky organ i UP-së.  Por vendimi nuk po zbatohet, tha ai.

“Moszbatimi i këtij vendimi nuk është thjesht një neglizhencë, është një shkelje e drejtpërdrejtë e barazisë dhe trajtimit të drejtë të studentëve. Ne kërkojmë vetëm atë që na takon: barazi në vlerësim, transparencë në vendimmarrje dhe respektim të vendimeve të organeve më të larta të universitetit. Kjo nuk është vetëm një protestë për një afat provimesh, është një qëndrim për dinjitetin e studentit dhe për drejtësinë në arsim”, ka thënë Kastrati.

Studenti Kastrati ia ka zënë për të madhe Rektoratit edhe për prioretizimin e punëve.

“Të nderuar studentë dhe ju të nderuara media, brenda afatit të këtij rektori, 100 metra larg objektit të Rektoratit, është hapur një hotel brenda kampusit universitar. Kurse Rektorati merret me afatet e provimeve për studentët e vitit të parë. Pra, vlerësoni vetë prioritetet e tyre.”

E Donart Humolli, student i vitit e parë, u shpreh se përjashtimi i studentëve nga afatet e parregullta është ide e rektorit Arben Hajrullahu.

“Rektori i Universitetit të Prishtinës, vazhdimisht që kur ka filluar mandatin e tij, ka tentuar që të ndalojë provimet e prillit dhe të nëntorit”, është shprehur Humolli. 

Në përgjigjen e Rektoratit për KOHËN thuhet se studentët e vitit të parë kanë pranuar situatën siç është me nënshkrimet që kanë dhënë individualisht.

“Mundësia e rivlerësimit (në prill dhe në nëntor), për studentët që edhe pas tri afateve të rregullta të provimeve nuk kanë arritur t’i përfundojnë ato, u është ofruar studentëve të viteve të dyta dhe të treta vetëm për një periudhë tranzitore dyvjeçare. Ndërkohë, studentët e vitit të parë kanë nënshkruar individualisht deklaratë me të cilën pranojnë të zbatojnë Statutin dhe rregulloret e tjera në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit të UP-së. 

Sipas Rektoratit, nga viti i ardhshëm afatet në prill dhe në nëntor do të vlejnë vetëm për studentët e vitit të tretë.

Studentët paralajmëruan se, nëse kërkesa e tyre nuk përmbushet, do të organizojnë protesta të tjera.