Studentët e UP-së po e kundërshtojnë vendimin për penalizim të tyre në rast se mungojnë në tri ligjërata gjatë një viti. Ata të Fakultetit Filologjik kanë iniciuar edhe një peticion me disa kërkesa të tjera. Nga UP-ja arsyetohen se ofrojnë vetëm studime të rregullta dhe se kriteret janë në përputhje me këtë mënyrë të studimit
Studentët e Universitetit të Prishtinës po e kundërshtojnë vendimin e këtij institucioni që ua ndalon hyrjen në provime për një vit akademik në rast se mungojnë tri herë në ligjërata.
Këshilli Studentor i Fakultetit të Filologjisë ka përgatitur një peticion, ku ka paraqitur edhe disa pika të tjera, si ndryshimin e kriterit për zënien e kushtit për ta kaluar vitin. Ata kërkojnë që kusht të jetë dhënia e 50 për qind e provimeve e jo siç është tani 30 kredi ECTS.
Po ashtu kërkojnë që t’u lejohet paraqitja e provimeve të vitit të dytë edhe në rast se u kanë mbetur provime të vitit të parë, për aq kohë sa është përmbushur kushti i vijueshmërisë së ligjëratave të vitit të dytë.
Kryetari i Këshillit të Studentëve, Rijad Berisha, ka thënë se këto masa të rrepta të UP-së mund të shtyjnë studentët t’u drejtohen kolegjeve private.
“Ne, si studentë që e kemi mbajtur mbledhjen e jashtëzakonshme, kemi vendosur që në këto parime të jemi kundër këtyre vendimeve të Senatit. Jemi këmbëngulës kundrejt këtyre parimeve dhe ne nuk do të ndalemi derisa kërkesa jonë të orientohet në qëllimin dhe në anën tonë të duhur. Senati duhet t'i ketë parasysh edhe këto vendime, edhe statistikat, që ka numër të ulët të studentëve, dhe të gjithë ata që e marrin vesh se me tri mungesa e përsërisin vitin, atëherë po ikin dhe po shkojnë në kampuset private”, ka thënë Berisha.
Peticioni, i cili është firmosur nga mbi 400 studentë do t’i drejtohet dekanit të Fakultetit të Filologjisë.
KOHA ka nisur pyetje në Fakultetin e Filologjisë nëse do të merren parasysh kërkesat e studentëve, por që nga e hëna nuk ka marrë përgjigje.
E nga Rektorati kanë theksuar se UP-ja ofron vetëm studime të rregullta.
“Universiteti i Prishtinës, në kuadër të ofertës së tij akademike, ofron vetëm studime të rregullta. Pra, aktualisht nuk ofrohen programe studimi me korrespondencë, online apo me orar të pjesshëm (part-time). Rrjedhimisht, studentët e regjistruar në UP konsiderohen studentë të rregullt dhe, në përputhje me Statutin dhe rregulloret e brendshme të Universitetit, pritet që ata t’i ndjekin rregullisht aktivitetet mësimore dhe t’i përmbushin kërkesat e përcaktuara në syllabusin e secilës lëndë”, ka thënë Majlinda Gjelaj, prorektore për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore.
Por sipas Statutit, UP-ja ofron edhe mënyra të tjera të studimit: si të rregullta online ose të kombinuara e me korrespondencë.