Pas një periudhe të ngrohtë, fillimi i muajt prilli janë rikthyer temperaturat e ulëta, duke vënë në alarm bujqit dhe kultivuesit e pemëve frutore në gjithë vendin. Ekspertët thonë se ngricat kërcënojnë të dëmtojnë seriozisht kulturat që tashmë kanë hyrë në fazën e lulëzimit, duke rrezikuar rendimentin e sivjetshëm bujqësor.
Rënia e borës të dielën, por edhe paralajmërimi për temperatura minimale nën zero ditëve në vijim, ka shkaktuar shqetësim te bujqit dhe veçanërisht kultivuesit e pemëve frutore.
Tahir Tahiri, kryetar i Sindikatës së Bujqve, thotë se nuk pret fruta nga plantacioni i tij me pemë nëse vazhdojnë temperaturat e ulëta.
Ai përmend se kjo mund t’i dëmtojë edhe disa kultura që veçse kanë lulëzuar.
“Unë i kam diku 100 trupa pemë të llojeve të ndryshme, po e shoh se një lloj i dardhave kanë lulëzuar, mandej një varietet i kumbullave, i qershive kanë lulëzuar dhe këto, nëse vazhdon ky mot, atëherë prej këtyre pemëve i kemi çuar duart”, tha Tahiri.
Sipas Tahirit, kushtet klimatike të dimrit dhe pranverës së hershme kanë qenë të favorshme për zhvillimin e hershëm të pemëve, por kjo ka sjellë rrezik të madh nga ngricat e papritura.
Edhe
Java e fundit e prillit me mot të paqëndrueshëm
“Me të vërtetë është shqetësuese për shkak se pranvera e hershme e sivjetme, por edhe pjesa e dimrit ka qenë me kushte të mira klimatike, do të thotë ka qenë koha e nxehtë dhe në këtë mënyrë sidomos pemët janë mbërthyer sythat e tyre dhe disa prej pemëve edhe kanë lulëzuar”, tha Tahiri.
Edhe ekspertët e fushës paralajmërojnë për rreziqe serioze nga temperaturat e ulëta.
Profesori i pemëtarisë, Vahid Avdiu, thotë se ngricat e paralajmëruara mund të dëmtojnë rëndë kulturat bujqësore.
“Temperaturat të cilat e rrezikojnë këtë fazë janë -2,-3 gradë celsius pra në fazën e lulëzimit, ndërsa në fazën e mugullimit të sythit -3,-4, ndërsa në fazën e formimit të frutëzave diku -1,-2 gradë. Faktikisht këto temperaturat e paralajmëruara ditëve të ardhshme deri në -4 e -5 paraqesin rrezik për këto kultura”, tha Avdiu.
Edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka lëshuar paralajmërim për ngrica të mundshme gjatë muajit prill, duke rekomanduar masa mbrojtëse për bujqit dhe fermerët.
Edhe
Temperatura verore në fundjavën e fundit të prillit
“Kujdes ndaj ngricave të mundshme në prill, sidomos për pemët frutore dhe perimet e hershme. Përdorimi i mbulesave ose sistemeve të ujitjes për mbrojtje nga ngricat mund ta ndihmojë. Monitorimi i sëmundjeve dhe dëmtuesve, veçanërisht pas periudhave me lagështi të lartë, për të parandaluar infektimet në grurë dhe pemë frutore. Menaxhimi i tokës duhet të bëhet me kujdes për të shmangur erozionin e mundshëm pas reshjeve të dendura”, ka njoftuar IHMK.
Sipas ekspertëve, kulturat më të rrezikuara janë kumbullat, kajsitë, qershitë dhe pjeshkat.