Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka dorëzuar në Gjykatë Kushtetuese kërkesë-padi ndaj Ministrisë së Financave për çështjen e buxhetit të kryeqytetit, duke e akuzuar nivelin qendror për bllokim të qëllimshëm të fondeve dhe për shkelje kushtetuese. Ai dhe nënkryetari i Komunës, Shkëmb Manaj, kanë thënë se bllokimi i 35 milionë eurove nga niveli qendror po e pengon realizimin e projekteve kapitale dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët. E këtë veprim, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, e ka quajtur viktimizim të Ramës
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me lëndë kundër Qeverisë, shkaku i “cenimit të buxhetit” të kryeqytetit
Ai e ka akuzuar Ministrinë e Financave për shkelje të Kushtetutës me anë të “bllokadës politike ndaj Komunës së Prishtinës”.
Pasi është drejtuar Kushtetuese i shoqëruar nga nënkryetari i Komunës, Shkëm Manaj, Rama ka thënë se në lëndën e dorëzuar bëhet fjalë për 35 milionë euro që “ligjërisht i takojnë kryeqytetit”, e të cilat janë “të bllokuara që nëntë muaj” nga niveli qendror.
“Kemi një bllokadë puro politike. Pra, fondet tona, të cilat me ligj i takojnë kryeqytetit dhe shpenzohen në të mirën e kryeqytetit, janë të bllokuara tash e nëntë muaj... Vitin e kaluar kemi pasur realizim të buxhetit mbi 80 për qind. Pra, një realizim rekord në historinë e kryeqytetit. Keni parë që qyteti po transformohet dhe po zhvillohet në të gjitha pjesët e kryeqytetit e si rezultat tash këta kanë marrë masa të tjera ilegale, jo ligjore për me i blloku financat e kryeqytetit”, ka thënë Rama.
Ai ka theksuar se si pasojë e bllokadës disa projekte kanë mbetur pezull në mungesë buxheti.
“Ndërlidhet me platformën, sheshin Xhorxh Bush, pagesën e shujtave për fëmijët tanë, ndërlidhet me pagesën e familjeve me nevoja sociale, pra 200 euro që i paguajmë në muaj, fondet janë të bllokuara. Pra në secilin nivel. Po ashtu edhe pagesat për shërbimet publike, pagesat për trafikun urban dhe të tjera”, ka theksuar ai.
E nënkryetari i Komunës, Manaj, ka kërkuar që rasti i buxhetit të trajtohet me prioritet nga Gjykata Kushtetuese teksa i ka akuzuar akuza ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati.
“Komuna e Prishtinës është duke u goditur dyfish. E para që nuk është përfshirë vendimi i Kuvendit për buxhetin për vitin 2025 dhe në anën tjetër, shkelja e dytë janë 35 milionët që kemi ngritur çështjen në Gjykatën Kushtetuese që kanë të bëjnë me buxhetin e vitit 2024, i cili është planifikuar në ligjin për ndarjet buxhetore të vitit 2025”, ka thënë Manaj.
Në akuzat e Ramës ka reaguar ministri në detyrë i Financave, Murati. Ai nëpërmjet një postimi në Facebook e ka kritikuar kryetarin e Prishtinës se me lëndën e dërguar në Kushtetuese është duke u përpjekur që të viktimizohet për mospunën e tij, teksa ka thënë që ai ka lejuar që t’i ikin tri mundësi për ta përfshirë buxhetin komunal në Ligjin për Buxhet.
“Përparim Rama e kishte miratuar projektbuxhetin në asamble, tek pasi i kishin ikur të gjithë trenat e mundshëm për ta futur buxhetin komunal në Ligj të Buxhetit. Në këtë situatë, e vetmja zgjidhje për përfshirje të projektbuxhetit komunal në Ligj të Buxhetit është ndryshim-plotësimi i Ligjit të Buxhetit në legjislaturën e re, pra pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Këtë fakt edhe ia ka komunikuar MFPT, dhe Përparim Rama e di shumë mirë. Mirëpo tash që ka dështuar për 4 vjet në qeverisje, duket se ka nevojë që të viktimizohet para votuesve e t’ia krijojë vetes një alibi për dështimin që ka pasur”, ka shkruar Murati.
Komuna e Prishtinës e ka miratuar më 9 dhjetor të 2024, më vonë se sa është paraparë, buxhetin për vitin 2025 në vlerë prej 128 milionë eurosh, rreth 6 milionë euro më i lartë sesa ai i vitit paraprak.
Në situatë të ngjashme janë edhe Gjilani dhe Zubin Potoku. Buxhetet e reja të tyre nuk janë përfshirë në Ligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2025, i cili është miratuar paraprakisht në nëntor nga Kuvendi.
Për shkak se buxheti i Komunës së Prishtinës është miratuar pasi që është miratuar Ligji për Buxhetin, është kërkuar të ndryshohet ky ligj, i cili ka kaluar në Qeveri por jo edhe në Kuvend. Por, ai tani as nuk mund të kalojë, pasi që ka paqartësi lidhur me konstituimin e Kuvendit.
Sipas Ligjit për menaxhimin e financave publike, kur buxheti i ri i një komune nuk përfshihet në Ligjin për Buxhetin, për shkak të vonesës në miratimin e tij, Ministria e Financave autorizon shpenzime mujore në nivelin e një të dymbëdhjetës së buxhetit të vitit të kaluar për çdo muaj, deri në fund të muajit qershor.
Pas kësaj periudhe, nuk mund të autorizohen fonde për kategori të tjera, përveç pagave dhe obligimeve të detyrueshme, dhe ato kërkojnë miratim nga Kuvendi Komunal çdo muaj.
Kategoritë, si investimet kapitale, mallrat, shërbimet dhe subvencionet, mbesin të bllokuara.